
Ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në Vlorë, teksa ishte duke pushuar në bregdet, ish-kampioni i volejbollit, Artan Pogoni.
Mësohet se shkak i vdekjes është arresti kardiak.
Artan Pogoni ishte një emër i njohur i volejbollit shqiptar, si ish-kampion, lojtar dhe trajner, ndërsa gjatë viteve ka pasur një angazhim të gjerë edhe në fushën akademike dhe atë publike.
Artan Pogoni mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, si dhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.
Me titullin Doktor Shkencash dhe me katër diploma universitare, ai ia kushtoi karrierën zhvillimit të shkencave të sportit, edukimit fizik dhe metodologjisë së stërvitjes. Pogoni ishte autor i disa publikimeve shkencore dhe teksteve universitare, si dhe kishte kontribuar në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+.
Në karrierën e tij sportive, ai ka mbajtur edhe poste drejtuese, përfshirë atë të drejtorit të sportit në Bashkinë e Tiranës. Vitet e fundit ishte i angazhuar në drejtimin e Barleti Volej, ku kontribuoi edhe si trajner i ekipit të femrave.
Pogoni ishte gjithashtu aktiv në debatet publike për zhvillimin e sportit shqiptar, duke ngritur shqetësime për organizimin dhe funksionimin e tij./Versus.al

