
Ditët e freskëta të javës së kaluar kanë marrë fund dhe Shqipëria do të përfshihet sërish nga një valë e fortë e të nxehtit afrikan. Kështu u shpreh meterologia e MeteoAlb, Lajda Porja në një intervistë për Euronews ku foli për parashikimin e motit në vendin tonë.
Porja tha se nga e mërkura, temperaturat e larta në vend do të ndihen edhe më shumë pasi intensiteti i erës do të bjerë.
“Që nga e mërkura dhe në vijim do të kemi rënie të intensitetit të erës, duke bërë që i nxehti të ndihet akoma më shumë. Maksimumi i temperaturave pritet të regjistrohet të enjten dhe të premten, kur termometri do të shënojë deri në 40 gradë Celsius,” tha ajo duke shtuar se java e parë e gushtit do të dominohet nga vala e të nxehtit afrikan me temperatura që në disa qytete do të arrijnë deri në 42 gradë celcius.
Zonat më të nxehta pritet të jenë qarqet e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit. Ndërsa zonat juglindore do të mbeten disi më të freskëta. Vala e tretë e të nxehtit të muajit korrik pritet të zgjasë deri në datat 8-9 gusht. Versus.al

