AKTUALITET /

Kroacia bllokon Malin e Zi në negociatat me BE-në, vihet në pikëpyetje anëtarësimi deri në vitin 2028

Autoritetet kroate i kanë bërë thirrje Podgoricës që të angazhohet në një dialog konstruktiv për çështjet dypalëshe të hapura, duke theksuar se mosmarrëveshjet mes vendeve duhet të zgjidhen përpara anëtarësimit në BE

Shkruar nga Versus

Kroacia bllokon Malin e Zi në negociatat me BE-në, vihet në

Zagrebi ka vendosur veton për Kapitullin 31, që lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, duke vënë në pikëpyetje objektivin e Podgoricës për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2028.

Sipas raportimeve, Kroacia i ka paraqitur Malit të Zi një listë me gjashtë kushte që lidhen me çështje të pazgjidhura mes dy vendeve. Ndër kërkesat kryesore janë trajtimi i çështjeve të krimeve të luftës dhe zgjidhja e pretendimeve pronësore të qytetarëve kroatë në Mal të Zi.

Autoritetet kroate i kanë bërë thirrje Podgoricës që të angazhohet në një dialog konstruktiv për çështjet dypalëshe të hapura, duke theksuar se mosmarrëveshjet mes vendeve duhet të zgjidhen përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas Zagrebit, BE-ja nuk duhet të importojë konflikte të pazgjidhura dypalëshe, ndërsa procesi i zgjerimit duhet të bazohet në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare.

Vendimi i Kroacisë vjen pas takimeve të Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, me kryeministrin kroat Andrej Plenković dhe ministrin e Jashtëm Gordan Grlić Radman.

Mali i Zi konsiderohet vendi më i avancuar i rajonit në procesin e negociatave me BE-në, por bllokimi i fundit nga Kroacia mund të ndikojë në ritmin e integrimit dhe në objektivin e shpallur për anëtarësim në vitin 2028./Versus.al

Poll