
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë ka goditur prefekturën jugore Kumamoto të Japonisë, duke shkaktuar dëme të shumta dhe situatë emergjente në disa zona.
Sipas transmetuesit publik japonez NHK, një qendër tregtare është shembur pjesërisht nga lëkundjet e forta, duke lënë disa persona të bllokuar nën rrënoja. Ndërkohë, raportohet se disa persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një strukture në një fabrikë letre.
Tërmeti ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë. Një urë autostrade është shembur, ndërsa disa ndërtesa kanë pësuar dëme të rënda.
Mediat japoneze raportojnë për viktima pas shembjes së qendrës tregtare. Televizioni Asahi, duke cituar burime policore, bëri me dije se disa persona kanë humbur jetën si pasojë e ngjarjes.
Ndërkohë, një spital ka raportuar për më shumë se 50 persona të plagosur. Mes të lënduarve raportohet se janë edhe disa pasagjerë të një treni me shpejtësi të lartë, të cilët ndodheshin në udhëtim në momentin kur goditi tërmeti.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar banorët e zonave të prekura për mundësinë e pasgoditjeve të forta gjatë ditëve në vijim, si dhe për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet po vlerësojnë përmasat e plota të dëmeve./Versus.al
View this post on Instagram

