
Presidenti amerikan Donald Trump do të presë të martën në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në dy takime të ndara ku në qendër të diskutimeve do të jenë lufta në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, të cituar nga CNN, Trump dhe Netanyahu do të diskutojnë konfliktin me Iranin, përparimin e bisedimeve me Libanin, si dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.
Presidenti amerikan pranoi se ka dallime në qëndrimet e tij dhe të Netanyahut lidhur me Iranin, por theksoi se marrëdhëniet mes tyre mbeten shumë të afërta.
“Kemi një ndryshim të vogël, por jemi mjaft të afërt”, deklaroi Trump para gazetarëve.
Ndërkohë, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, fokusi do të jetë procesi i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Tani është koha për t’i dhënë fund luftës”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar objektivit të takimit.
Më herët, Trump komentoi edhe pretendimet e Zelenskyyt se Rusia po i jep Iranit informacione për bazat ushtarake amerikane, duke i minimizuar ato.
“Nuk mendoj se e kanë bërë këtë, sigurisht jo në një nivel të lartë”, u shpreh presidenti amerikan.
Pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë, si Netanyahu ashtu edhe Zelenskyy pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham, që do të zhvillohet të martën në Uashington./Versus.al

