BOTA /

Flakët pushtojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen gati 200 mijë banorë dhe turistë. Macron kërkon ndihmën e BE-së

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar ndihmë nga vendet partnere të Bashkimit Evropian për mjete shtesë ajrore që do të ndihmojnë në luftën kundër zjarrev

Shkruar nga Versus

Flakët pushtojnë jugperëndimin e Francës, evakuohen gati

Zjarret masive që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës kanë detyruar autoritetet të zhvillojnë një nga operacionet më të mëdha të evakuimit në vend, ndërsa qindra mijëra banorë dhe turistë janë larguar nga zonat e kërcënuara nga flakët.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se vetëm në departamentin Gironde janë evakuuar rreth 167 mijë persona, ndërsa në rajonin fqinj Landes edhe 31 mijë banorë të tjerë janë detyruar të lënë banesat për shkak të përhapjes së zjarreve.

Situata ka prekur edhe mijëra pushues në zonën turistike të Bassin d’Arcachon, ndërsa në gadishullin Cap Ferret disa persona janë transportuar drejt vendeve të sigurta me anije.

Zjarri masiv në Gironde, i cili nisi që prej së mërkurës, ka përfshirë rreth 19 mijë hektarë tokë, një sipërfaqe më e madhe se ajo e Parisit. Deri tani, rreth 100 ndërtesa janë shkatërruar, ndërsa tymi i dendur ka arritur deri në qytetin e Bordosë.

Më shumë se 1200 zjarrfikës janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve, ndërsa ndryshimi i drejtimit të erës ka bërë që zjarri të lëvizë drejt zonave më pranë metropolit të Bordosë.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, qeveria franceze ka shtuar masat e emergjencës. Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi rritjen e numrit të ushtarëve të angazhuar në operacione nga 500 në 1000, si dhe përdorimin e një avioni ushtarak A400M, i pajisur për ndërhyrje në shuarjen e zjarreve.

Gjithashtu, autoritetet kanë dërguar 1.5 milionë maska FFP2 në zonat e prekura për mbrojtjen e zjarrfikësve dhe banorëve nga tymi toksik.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar ndihmë nga vendet partnere të Bashkimit Evropian për mjete shtesë ajrore që do të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve.

Ndërkohë, Franca po përballet edhe me vatra të tjera zjarri në rajone si Var dhe Korsika, ndërsa situata është rënduar edhe në Itali, ku zjarret kanë prekur veçanërisht Siçilinë dhe Kalarbinë.

Autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit dhe era e fortë Scirocco, që sjell masa ajri të nxehtë nga Afrika, mund të përkeqësojnë më tej situatën në ditët në vijim./Versus.al

Poll