
Vihet në kontroll pas më shumë se 3 orësh, zjarri që ka ka përfshirë pasditen e së dielës Pyllin e Sodës në Vlorë, i cili ka shkaktuar dëme në një sipërfaqe prej më shumë se 5 hektarësh me pisha të buta.
Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar përhapjen e zjarrit edhe në zonat përreth.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan forcat zjarrfikëse të Vlorës me të gjitha mjetet në dispozicion. Në ndihmë të tyre dolën edhe banorë të zonës, si dhe pronarë e punonjës të restoranteve pranë pyllit, të cilët kontribuuan në përpjekjet për izolimin e zjarrit.
Në terren u angazhuan gjithashtu forcat e Policisë së Vlorës, strukturat e Bashkisë Vlorë dhe efektivë të FNSH Fier, të cilët monitoruan situatën dhe garantuan sigurinë në zonë.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka ndarë pamje nga aksioni për shuarjen e flakëve.
"Orë të vështira në Vlorë për shkak të vatrave të zjarrit në Pyllin e Sodës dhe në disa zona të tjera.
Ndjekim në çdo çast situatën në koordimin me të gjitha strukturat në terren që po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Do të vazhdojmë të jemi në terren deri në normalizimin e plotë të situatës", shkruan ministri Lamallari./Versus.al
View this post on Instagram


