
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Berlinin mbrëmjen e së shtunës, ku një furgon u fut mes turmës së njerëzve gjatë festimeve të paradës Christopher Street Day (Pride), duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e të paktën 16 personave. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve gjermane, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 me orën lokale, në zonën e Tiergarten, pranë itinerarit të paradës. Një furgon i bardhë hyri me shpejtësi në turmë, goditi disa persona dhe më pas u përplas me një pemë.
Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit braktisi furgonin dhe u largua në këmbë. Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, ku janë përfshirë forca të shumta dhe helikopterë. Sipas hetimeve paraprake, është identifikuar një 21-vjeçar i njohur për lidhje me qarqe islamiste në Berlin, por motivi i sulmit mbetet ende nën hetim.
Për shkak të incidentit, organizatorët ndërprenë menjëherë aktivitetet e paradës Pride, ndërsa autoritetet u kërkuan qytetarëve të largoheshin nga zona për t'i hapur rrugë operacionit të emergjencës. Në vendngjarje mbërritën dhjetëra ambulanca, zjarrfikëse dhe efektivë policie për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Gjermani. Kancelari Friedrich Merz dhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënuan sulmin, duke e cilësuar atë një goditje ndaj lirisë dhe vlerave të një shoqërie të hapur./Versus.al
???????????? #BREAKING — Reports indicate a car rammed into a Pride parade in Berlin, with multiple people reported injured.#Germany #Berlin #BreakingNews pic.twitter.com/8WgDq8fkov
— WarPolitics (@TheWarPolitics0) July 26, 2026

