
Boksieri britanik Tommy Fury ka tërhequr vëmendjen e fansave me një rrëfim të pazakontë gjatë podcast-it të tij, duke zbuluar se ka pirë qumështin e gjirit të partneres së tij, Molly-Mae Hague. Me nota humori, ai tha se kjo eksperiencë madje i kishte ndikuar edhe në fizikun e tij.
Në episodin më të fundit të podcast-it "What the Fury?!", të cilin e drejton së bashku me babanë e tij, John Fury, Tommy tregoi se e provoi qumështin e gjirit pak kohë pas lindjes së vajzës së tyre të parë, Bambi. Kur babai e pyeti nëse po bënte shaka, ai u përgjigj se kishte pirë "vetëm pak".
"E dini sa shumë vlera ushqyese ka qumështi i gjirit. Ka edhe disa hormone të rritjes, megjithëse nuk jam i sigurt nëse ndikojnë te një i rritur. Krahët m'u zmadhuan dyfish", tha ai duke qeshur.
Fury shtoi se së fundmi kishte pirë sërish nga një shishe me qumësht gjiri që ndodhej në frigorifer, ndërsa shijen e krahasoi me atë të qumështit të sojës ose të bajames.
"Forca m'u rrit jashtë mase, fitova edhe një centimetër në krahë. Ishte fantastike!", u shpreh ai me humor.
Babai i tij, John Fury, nuk e ndau të njëjtin entuziazëm dhe reagoi me një batutë: "Më mirë do të haja gjashtë merimanga!"
Tommy Fury dhe Molly-Mae Hague u njohën në emisionin "Love Island" në vitin 2019. Çifti janë prindër të vajzës Bambi dhe, pak më shumë se një muaj më parë, mirëpritën në jetë edhe djalin e tyre, Midas Thomas Fury./Versus.al

