
Franca dhe Spanja po përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërsa mbi 220 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së flakëve.
Në Francë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e rreth 200 mijë banorëve në rajonet jugperëndimore Gironde dhe Landes, si dhe të afro 60 mijë personave në zonat pranë Bordeaux.
Përballë përmasave të situatës, presidenti Emmanuel Macron ka angazhuar edhe ushtrinë për të mbështetur operacionet e emergjencës dhe për të ndihmuar zjarrfikësit në terren.
Situata paraqitet po aq kritike edhe në Spanjë.
Një zjarr i madh në afërsi të Madridit është bashkuar me dy vatra të tjera, duke krijuar një front të vetëm zjarri që, sipas autoriteteve, nuk mund të vihet ende nën kontroll.
Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare, ndërsa rreth 25 mijë persona janë evakuuar dhe afro 40 mijë të tjerë janë udhëzuar të qëndrojnë në banesa për arsye sigurie.
Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi situatën si zjarrin më të rëndë në historinë e rajonit, duke theksuar se temperaturat ekstreme, erërat e forta dhe bashkimi i disa fronteve të zjarrit kanë krijuar kushte tepër të vështira për ndërhyrje.
Sipas shërbimeve të emergjencës, flakët po avancojnë drejt komunave Robledo de Chavela dhe Fresnedillas de la Oliva, rreth 50 kilometra në perëndim të Madridit.
Autoritetet spanjolle pranojnë se zjarri ka arritur një intensitet të tillë, sa në disa zona ndërhyrja e drejtpërdrejtë nuk është më e mundur. Për këtë arsye, përpjekjet janë përqendruar kryesisht në mbrojtjen e banorëve dhe kufizimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara./Versus.al

