
Një valë e fortë moti të keq ka goditur Greqinë, duke sjellë stuhi të fuqishme, reshje të dendura shiu, erëra të forta, breshër dhe aktivitet intensiv elektrik.
Sipas raportimeve, numri i shkarkimeve atmosferike ka kaluar mbi 100 mijë rrufe, ndërsa fenomenet ekstreme kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Fthiotida, Magnezia, Selaniku dhe Atika janë ndër rajonet më të prekura, ku janë regjistruar rrugë të përmbytura, pemë të rrëzuara dhe dëme materiale në ndërtesa.
Edhe kryeqyteti grek, Athina, u përball me një ndryshim të menjëhershëm të kushteve atmosferike. Pasditen e së premtes, qielli u mbulua nga re të dendura dhe pak para orës 19:00 nisën reshje të rrëmbyeshme shiu, të shoqëruara me erëra të forta dhe një numër të madh rrufesh.
Për shkak të situatës, autoritetet greke dërguan mesazhe paralajmëruese përmes sistemit 112 për banorët në Larisa, Fthiotidë, Evia, Skyros, Magnezi dhe Sporade, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes.
Shërbimet zjarrfikëse kanë marrë thirrje të shumta për ndërhyrje, ndërsa në Magnezi dhe Sporade u aktivizua statusi i emergjencës “Kodi i Kuq” për shkak të intensitetit të fenomeneve atmosferike.
Sipas parashikimeve, moti pritet të përmirësohet gradualisht gjatë mbrëmjes së vonë të së premtes, ndërsa fenomenet do të dobësohen në shumicën e zonave deri në mëngjesin e së shtunës./Versus.al

