
I dyshuari për sulmin e përgjakshëm gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, Abdul Rahman Tawfiq Balut, është qëlluar për vdekje nga policia gjermane, raportojnë mediat në Gjermani.
Sipas informacioneve të publikuara, 21-vjeçari u lokalizua pas një operacioni të forcave speciale SEK në një hambar, në një zonë periferike të Berlinit, në Spandau.
Gjatë ndërhyrjes, Balut dyshohet se ka sulmuar efektivët e policisë me thikë. Forcat e rendit kanë reaguar duke hapur zjarr, duke e lënë të vdekur në vendngjarje.
Operacioni u zhvillua pasi autoritetet kishin nisur kërkimet për 21-vjeçarin, i dyshuar si autor i sulmit gjatë Paradës së Krenarisë, ku një grua humbi jetën dhe më shumë se 25 persona mbetën të plagosur.
Sipas dëshmitarëve, gjatë ndërhyrjes janë dëgjuar disa të shtëna. Mediat gjermane raportojnë se policia arriti në gjurmët e të dyshuarit përmes informacioneve të marra nga rrethi i tij i afërt.
Më herët, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist islamist”, duke deklaruar se provat paraprake tregonin për një motiv të tillë.
Dobrindt bëri të ditur se Balut, me origjinë nga Libani dhe i lindur në Gjermani, ishte i njohur më herët për autoritetet për shkak të disa veprave penale dhe lidhjeve të dyshuara me një mjedis islamist.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit dhe për të përcaktuar nëse i dyshuari ka pasur bashkëpunëtorë./Versus.al



