AKTUALITET /

Familja Kola u shua në Itali, flasin fqinjët në Peqin: Jemi të shokuar, kryefamiljari ishte jetim! Këto janë plagët e emigracionit

Të afërmit dhe fqinjët rrëfejnë se familja ishte emigruese prej rreth tre vitesh në Itali, ndërsa më herët kishin qenë në Greqi për punë sezonale.

Shkruar nga Versus
Familja Kola u shua në Itali, flasin fqinjët në Peqin: Jemi
Familja Kola

Fshati Gryksh i Madh i Peqinit është zhytur në zi pas tragjedisë së familjes Kola në Itali, 4 anëtarët e së cilës u shuan pas helmimit me monoksid karboni teksa ndodheshin në banesën e tyre.

Të afërmit dhe fqinjët rrëfejnë se familja ishte emigruese prej rreth tre vitesh në Itali, ndërsa më herët kishin qenë në Greqi për punë sezonale.

“Kjo është fatura e emigracionit,” shprehen ata, duke theksuar sakrificat e panumërta dhe rrugëtimin e vështirë larg atdheut.

Sipas tyre, kujtimet janë ende të freskëta. Ata ishin parë për festën e ndërrimit të viteve, kishin ndarë urime, buzëqeshje dhe shpresa për të ardhmen. Sot, ato kujtime janë kthyer në plagë.

Familjen Kola e përshkruajnë si një familje të rregullt, punëtore dhe të mrekullueshme. Ata rrëfyen se Arti Kola, kryefamiljari, ishte jetim dhe se e kishte humbur të atin në një moshë fare të re.

“Këto janë plagët e emigrimit. Dyer të mbyllura e të kyçura. I insëm fëmijët me duart tona dhe sot na kthehen në arkivol. Këtij fshati kjo ngjarje nuk i ka ndodhur ndonjëherë. Nuk ka bërë vaki. Jemi shumë të shokuar. U rrit jetim, i ati i vdiq i ri. Ka qenë e rregullt, më e mira e fshatit. Ka rënë tragjedi jo vetëm për fshatin por e gjithë Shqipëria është në zi. Jemi shumë të shokuar për këtë ngjarje të rëndë. Jemi të shokuar nga kjo tragjedi që ka ndodhur në fshatin tonë. Nuk gjejmë dot fjalë të shprehemi. Ka qenë një familje e mrekullueshme, e shkëlqyer, gjithmonë duke parë punën e vet. Emigruan në Itali, e sot humbën jetën. E morëm veshlajmin përmes mediave. Jemi të tronditur. Në fillim bashkëshorti emigroi në Greqi, ka 3-4 vite që ndërtuan jetën në Itali. Ishin këtu për vit të ri. I takuam e biseduam.  Na ka ardhur keq. Aq keq sa s’ka ku të shkojë më. Një familje e mrekulleushme. Një fatkeqësi, duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë. Jemi të tronditur nga ngjarja. Tragjedi e madhe për këtë familje, ishte e respektuar. Kanë qenë njerëz punëtorë, hallexhinj, të atin s’e ka pasur”, u shprehën banorët.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në banesën e familjes. Nga hetimet e para, dyshohet se anëtarët e saj u helmuan nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga pajisja e ngrohjes.

Viktimat janë identifikuar si Arti Kola 48 vjeç, Jonida Kola 42 vjeçe dhe dy fëmijët, Hajdar dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç.

Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve dhe u detyruan të thyejnë derën.

 

Poll