AKTUALITET /

Çfarë po ndikon? Shqiptarët nuk po martohen më, celebrimet kapin minimumin historik

Kjo tendencë ka pasoja direkte në numrin e lindjeve. Edhe kur çiftet zgjedhin të bashkëjetojnë pa u martuar, studimet tregojnë se ato kanë më pak fëmijë dhe i shtyjnë lindjet më vonë. Kjo përforcohet edhe nga të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit 2025, ku lindjet kanë rënë me 6.5%, ndërsa shtesa natyrore po afrohet me zero. Në disa qytete, rënia e lindjeve ka kaluar 35%.

Shkruar nga Versus

Çfarë po ndikon? Shqiptarët nuk po martohen më, celebrimet

Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë një rënie të pandalshme të martesave në Shqipëri, duke arritur në nivelin më të ulët historik që nga viti 1990. Gjatë vitit 2024, janë regjistruar vetëm 16,120 martesa, një rënie me 7.7% krahasuar me vitin 2023 dhe me mbi 18% krahasuar me vitin 2021 – vit që shënoi një rikthim të përkohshëm pas pandemisë me rreth 19,709 martesa.

Për krahasim, në vitin 1990, përpara ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike, numri i martesave ishte 28,992 – gati dyfish më shumë se sot. Rënia e martesave nuk ka ndodhur në mënyrë lineare, por ka reflektuar ciklet shoqërore dhe ekonomike që ka përjetuar vendi. Fillimi i viteve '90 u shënua nga emigracioni masiv dhe pasiguria ekonomike, duke ulur ndjeshëm martesat. Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000 pati një rritje të lehtë, por që filloi të binte sërish pas vitit 2010.

Pandemia COVID-19 ndikoi ndjeshëm në vitin 2020, duke i ulur martesat në 17,473. Pas një rritjeje në 2021, trendi negativ rifilloi: nga 18,781 martesa në 2022, në 17,467 në 2023 dhe 16,120 në vitin 2024.

Arsyet kryesore të kësaj rënieje lidhen me emigracionin e lartë, që ka pakësuar numrin e të rinjve në moshë martese, si dhe me pasigurinë ekonomike, koston e lartë të jetesës dhe shtyrjen e prioriteteve personale dhe profesionale.

Kjo tendencë ka pasoja direkte në numrin e lindjeve. Edhe kur çiftet zgjedhin të bashkëjetojnë pa u martuar, studimet tregojnë se ato kanë më pak fëmijë dhe i shtyjnë lindjet më vonë. Kjo përforcohet edhe nga të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit 2025, ku lindjet kanë rënë me 6.5%, ndërsa shtesa natyrore po afrohet me zero. Në disa qytete, rënia e lindjeve ka kaluar 35%.

Shqipëria po përjeton një plakje të shpejtë të popullsisë, e ndikuar nga emigracioni i të rinjve, ulja e lindjeve dhe mungesa e politikave mbështetëse për familjet. Ndër vendet e Europës, Shqipëria mbetet ndër të paktat që nuk ofron ndihma financiare apo lehtësira për çiftet e reja, ndërkohë që çmimet e banesave, qirave dhe arsimit janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Këto zhvillime sinjalizojnë një krizë të thellë demografike, për të cilën ende nuk ka një strategji të qartë për ta ndalur apo për ta përballuar në mënyrë të qëndrueshme. /Versus.al/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tags:

martesa

Poll