
Një tjetër natë e vështirë është përballuar nga efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në të dy anët e lumit Seman, për shkak të rritjes së nivelit të ujit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë gjithë natës ka vijuar evakuimi i banorëve në fshatrat buzë lumit në bashkitë Kuçovë dhe Dimal, si masë parandaluese për garantimin e sigurisë së tyre dhe shmangien e rrezikut nga përmbytjet.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore, mbeten të angazhuara në terren për monitorimin e situatës, menaxhimin e emergjencës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse.









