
Situata e zjarrit pranë Landfillit dhe Inceneratorit të Elbasanit është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, ndërsa flakët po afrohen në mënyrë të rrezikshme drejt fushës së grumbullimit të mbetjeve.
Vatra e zjarrit, e cila ndodhet në afërsi të rrjedhës së lumit Shkumbin, vijon të mbetet aktive pavarësisht ndërhyrjes së vazhdueshme të forcave zjarrfikëse. Përhapja e flakëve ka rritur shqetësimet për rrezikun që zona e depozitimit të mbetjeve të përfshihet nga zjarri.
Sipas informacioneve nga terreni, ekipet zjarrfikëse po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave aktive dhe për të parandaluar avancimin e mëtejshëm të flakëve drejt landfillit dhe objekteve përreth.
Në mbështetje të operacionit janë vënë në funksion të plotë sistemet hidrante të Landfillit të Elbasanit, të cilat po përdoren për furnizimin me ujë dhe për forcimin e masave në terren.Versus.al

