
Një person është gjetur i pajetë rreth mesditës së sotme pranë trasesë së hekurudhës që lidh Peqinin me Elbasanin.
Një kalimtar ka qenë i pari që ka dalluar trupin dhe ka njoftuar menjëherë policinë lokale. Menjëherë pas raportimit, forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe nisur procedurat hetimore.
Aktualisht, autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimës dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Burime policore bëjnë të ditur se deri tani nuk ka detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë. Në orët në vijim pritet të ketë më shumë informacion mbi rastin.
