Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia ish-policin Jeton Lami i cili u arrestua ditë më parë për tritolin që shpërtheu në restorantin “Perla e Detit” në Kamëz për një gjobëvënie 500 mijë euroshe.
Ndaj Lamit është caktuar masa “arrest shtëpie” për ngjarjen e ndodhur në biznesin në pronësi të Saimir Sinës. Në “detyrim paraqitje” u la Florin Domi i cili ofroi edhe garancinë pasurore prej 600 mijë lekësh ndërkohë që për Flogert Mzhikën mbeti në fuqi masa e arrestit me burg.
Për shpërthimin me tritol mbetet në kërkim Ervis Lami ndaj të cilit ka një tjetër masë arresti në mungesë për disa armë zjarri që iu gjetën në banesë. Sipas policisë, dyshohet se shkak për shpërthimin në restorant ka qenë një gjobëvënie e autorëve ndaj pronarit Saimir Sina, ndërsa ky i fundit nuk ka pranuar t’ua jepte.
Jeton Lami është personi i fundit që është takuar me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj në gusht të vitit 2022. Pavarësisht marrjes në pyetje, ai nuk zbuloi detaje rreth zhdukjes së mbretit të lojërave të fatit duke thënë se nuk kishte dijeni për fatin e tij. Versus.al

