Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi është thirrur sot si dëshmitarë në gjyqin që po zhvillohet në GJKKO për atë që njihet si “afera 5D” ku nëpërmjet një kompanie fiktive, ish-drejtorët e bashkisë Tiranë dyshohet se gllabëronin fondet publike të qytetarëve.
Këlliçi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Ardian Leka, avokati i ish-drejtorit Mariglen Qato lidhur me sigurimin e materialeve të cilat ai i kishte dorëzuar në SPAK. Deputeti iu përgjigj duke mos e zbuluar se kush ia kishte sjellë informacionin, por tha se kishte ardhur nëpërmjet një zarfi në selinë e PD. Ai tha se pas një verifikimi të bërë prej tij në QKB verifikoi se pretendimet që kishte lexuar, qëndronin dhe në atë moment ka bërë denoncimin.
“Vijnë informacione të tilla, shpesh rezultojnë të vërteta shpesh jo. Ka ardhur një zarf dorazi, është protokolli që s’merrem unë drejtohuni partisë demokratike. Kush ka turnin, është në recepsion, pëllumbi është njëri që mbaj mend, Arben, Ilir, Emiljana, varet kush ka qenë turn. Kam arritur përmes faqes së QKB fillimisht të ndjek kompaninë, kam bërë lidhjen e konfliktit të interesit dhe kam bërë një deklaratë publike. Do kisha kërkuar të njihesha me procedurën se si bëhen pyetjet e nderuar gjykatë. Duhet të kuptoni, kam bërë me qindra denoncime publike që përmbajnë emra e të dhëna dhe s’është e thjesht ti kujtoj specifikisht të gjitha. Duhet kuptuar koha, situata që janë bërë këto dokumenta, pasi kam siguruar të dhëna që i kam parë me interes publik i kam denoncuar. Të dhënat që kam verifikuar që niptet qëndronin, të afërmit qëndronin, kam reaguar dhe denoncuar, kam bërë kallëzim dhe i keni aty”- tha Këlliçi.
Më tej theksoi se kishte patur edhe informacione për Arbjan Maznikun, ish-ministrin e Pushtetit Vendor i cili asokohe ishte nënkryebashkiak i Tiranës.
“Në informacionet që kam pasur bëhej fjalë për Tushen, Qaton Mollën e më vonë infot që vinin në mos gaboj ishte Mazniku dhe Kacidhja, duhet ti verifikoj dy të fundit pasi ishin një sërë drejtorësh që përfliteshin që ishin pjesa e kësaj skeme. Media dhe politika, që njihesha me informacione përmes tyre. Skema zbërthehej çdo ditë, emisioneve investigative, se si funksiononte ky rrjet”- shtoi deputeti.
Në këtë moment pati ndërhyrje të prokurorit të SPAK, Klodian Braho i cili i kërkoi avokatit që të mos e shndërronte procesin e pyetjes në kërkim llogarie dhe as ta pyesin Këlliçin për mendimet e tij personale.
“S’mund ta shndërrojmë procesin e pyetjes ti kërkojmë llogari, as ta pyesim për mendimet e tij, ai është këtu për tu pyetur procedurialisht, mi kallëzimet dhe denoncinet që ka bërë, pra anën proceduriale”- u shpreh Braho.
Këshilli u shpreh se denoncimet i kishte bërë si kandidat për bashkinë e Tiranës. Ndërsa nuk mungoi edhe ironia e avokatit të Qatos ndaj deklaratave të tij.
Pjesë nga seanca:
Belind Këlliçi: Gjithë informacionin e kam marrë shkurt mars 2023, e kam dorëzuar si provë në organin e akuzës. Po të më jepni kohë rikthehem dhe ju them gjithçka që disponoj. Nuk kam patur dijeni mbi pyetjet që do bëhen, dhe jam gati ti shqyrtoj dhe të kthehem ti deklaroj. Kam dhënë dëshmi në spak dhe i qëndroj. 25 mln dollar është përllogaritja që kemi bërë që është fituar nga 5 d.
Ardian leka: A e fituat u bashkinë e tiranës pasi bëtë këto denoncimi? Se thatë që denoncuat dhe investiguat se ishit kandidat…
Pas fjalës së Lekës ka ndërhyrë trupi gjykues duke i kërkuar Këlliçit që si dëshmitar të mos u përgjigjet pyetjeve që janë jashtë objektit dhe fakteve të gjykimit. Versus.al







