
Në provincën e Casertës, Itali, Policia ka arrestuar katër shtetas shqiptarë të dyshuar si pjesë e një bande të specializuar në grabitje dhe vjedhje banesash në Kampanjë dhe në pjesën e poshtme të Lazios. Gjatë operacionit të zhvilluar mes qyteteve Cesa dhe San Marcellino, të paktën 6 agjentë policie janë plagosur.
Sipas detajeve të paraqitura në konferencën për shtyp nga Prokurori i Përgjithshëm një nga incidentet më të rënda ndodhi në San Marcellino ku një burrë i rëndë rreth 100 kg, i afërm i gruas së njërit prej të arrestuarve, u hodh nga kati i parë mbi policët për të favorizuar arratisjen e të afërmit (që dështoi).
Ai plagosi pesë agjentë fatmirësisht plagët nuk janë të rënda. Një tjetër agjent u sulmua fizikisht nga një prej të arrestuarve dhe u referua në spital për kontuzione. Hetuesit po shqyrtojnë edhe rolin e mundshëm të personit që u hodh nga kati i parë në bandë.
Gjatë kontrollove, policia gjeti dhe sekuestroi:
Rreth 100.000 euro në para të gatshme (në proces verifikimi),
Makina të shpejta të përdorura për grabitje,
Bizhuteri ari me vlerë rreth 1 milion euro,
Dy pistole automatike (të cilat nuk u përdorën gjatë vjedhjeve),
Numër të madh targash të falsifikuara.
Katër të arrestuarit, të gjithë nga një fshat në veri të Shqipërisë dhe që e quanin veten “kushërinj” (edhe pse nuk duket se kanë lidhje gjaku), kishin një orar të rregullt “pune”: nga ora 16:00 deri në 23:00, nga e hëna deri të shtunën, ndërsa e diela ishte “ditë pushimi”.
Ata hynin në shtëpi me fytyra të mbuluara, edhe kur pronarët ishin brenda, merrnin shpejt gjërat me vlerë dhe iknin me makina të shpejta.
Në rast zbulimi, kalonin në kërcënime dhe në një rast hodhën gurë për të mbuluar arratisjen.
Hetimi u nis nga vjedhja në shtëpinë e një mjeku në San Leucio më 1 nëntor 2025 (ditën e Të Gjithë Shenjtorëve). Në pak muaj, banda kreu dhjetëra vjedhje në të gjithë Kampanjën dhe në provincën e Frosinones (Lazio e poshtme).
Për të shmangur gjurmët, përdornin sistemin e “staffetta”-s: linin makina në vende strategjike, ndryshonin vazhdimisht automjetet dhe përdornin targat e falsifikuara. Pikërisht nga monitorimi i një makine të tillë, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë katër burrat gjatë natës, sapo kishin mbaruar “ditën e punës”./Versus.al

