AKTUALITET /

Grabitësi ngeci në xhamin e dritares dhe humbi jetën, vëllai i pronarit të banesës: Ishte me kapuç e doreza

47 vjeçari që mbeti i pajetë kishte tentuar të hynte në banesë gjatë mbrëmjes, por kishte mbetur në dritaret e ngushta të banesës.

Shkruar nga Versus
Grabitësi ngeci në xhamin e dritares dhe humbi jetën, vëllai
Fotomontazh, vendi ku mbeti i vdekur grabitësi dhe Nikollaq Lule, vëllai i pronarit të banesës

Ilir Zarka është 47 vjeçari i cili u gjet i pajetë në Fier në tentativë për të grabitur një banesë në lagjen “8 shkurti”. Sipas njoftimit të policisë dyshohet se kishte shkuar për të grabitur, por kishte mbetur i varur në xhamin e dritares dhe kishte humbur jetën si pasojë e asfiksimit.

Trupi i tij u gjet i pajetë mëngjesin e sotëm nga një fqinj i cili njoftoi Nikollaq Lulen, vëllain e Ural Lules, pronarit të banesës i cili ndodhet në Greqi. Në një prononcim për mediat ai tha se viktima ishte veshur me kapuç e doreza, gati për të grabitur.

“E gjeta të varur këtu. Vëllai ka ikur, po bën një muaj në Greqi te fëmijët. Do kalonte Pashkët dhe do vinte. Unë para dy ditësh isha këtu, kontrollova, por nuk gjeta gjë. Mirëpo kaloi një komshi që vjen përditë për t’i ushqyer qenin, kur kishte ardhur sot në mëngjes kishte gjetur një person këtu në dritare dhe kishte lajmëruar policinë. Lajmërova edhe unë vëllanë, pastaj erdha këtu sepse i kam unë çelësat e shtëpisë. Xhamat janë të vegjël, mirëpo ai ka tentuar të futet aty, e për pasojë ka ngecur gjysma e trupit.

Në mëngjes ai zotëria që vjen ushqen qenin e kishte gjetur të vdekur. Unë nuk jetoj këtu, erdha sepse kisha çelësat e shtëpisë. Nuk e njoh (viktimën). Ishte me kapuç, me doreza, i përgatitur për vjedhje. Nuk kishte mjete identifikuese me vete.”- tha ai.

Në ekspertizën mjekoligjore nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës. Versus.al

Poll