
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro është pyetur nga gazetarët lidhur me një rast shqetësues të shënuar së fundmi ku disa gra muxhahedine të mbuluara me shami tentojnë të afrojnë fëmijët pranë shkollave.
Kumbaro tha se në të gjitha shkollat e vendit janë ndërmarrë masa për garantimin e sigurisë së fëmijëve, ndërsa nënvizoi se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me policinë për çdo sinjalizim të mundshëm.
"Masat e sigurisë në të gjithë shkollat tona janë në garantim të sigurisë së fëmijëve dhe institucioneve arsimore. Jemi në bashkëpunim 100% me policinë e shtetit. Patrullat e policisë janë aty çdo mëngjes edhe çdo drekë kur fëmijët hyjnë e dalin nga shkolla dhe shpesh edhe gjatë pushimit të madh. Jemi në komunikim të përditshëm me policinë, ndërkohë po rrisim numrin e oficerëve të sigurisë të cilët janë persona kontakti për çdo sinjalizim. Është bërthamë e tërë që drejtohet nga drejtori i shkollës në bashkëpunim me psikologët dhe oficerët e sigurisë për të kapur në kohë çdo sinjalizim. Bëhet lajm një hqetësim ose një telefonatë, por nuk bëhen lajme me dhjetëra raste që kontrollohen në kohë reale”- u shpreh Kumbaro mes të tjerash. Versus.al

