
Ministri i Bujqësisë Andis Salla ka deklaruar se institucionet përkatëse po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e helmimit të 64 kursantëve në Akademinë e Sigurisë.
Sipas tij, menjëherë pas ngjarjes janë marrë masa për izolimin dhe bllokimin e ambienteve të institucionit, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese.
Ministri theksoi se qëllimi është zbardhja e plotë e rrethanave dhe identifikimi i përgjegjësve të mundshëm, nëse konstatohen shkelje.
Ai bëri të ditur se analizat laboratorike pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për helmim nga ushqimi apo për shkaqe të tjera.
Salla kujtoi gjithashtu një rast të mëparshëm në të njëjtin institucion, ku sipas tij problemet nuk kishin ardhur nga ushqimi, por nga mungesa e higjienës.
Autoritetet pritet të dalin me rezultate zyrtare sapo të përfundojnë analizat, ndërsa hetimet vijojnë.Versus.al

