Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka ndëshkuar kompaninë “Gjikuria” me 1 milionë lekë të reja gjobë për shkak të dëmeve të shkaktuara në Dhërmi.
Gjatë inspektimeve, u konstatua se kompania e cila nuk ishte e pajisur me leje, hidhte dherat dhe inertet e nxjerra nga gërmimet në krye të fshatit Dhërmi. Për shkak të shkeljeve, u mor vendimi për pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në pajisjen me lejen përkatëse sipas ligjit. Kompanisë “Gjikuria” ju ngarkua edhe detyrimi për të eleminuar pasojat e shkaktuara në një afat të arsyeshëm, për të rehabilituar zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve.
Subjekti zotërohet në përqindjen më të madhe nga Florenc Gjikuria i cili gjithashtu është edhe investitor strategjik i qeverisë. Në vitin 2022 qeveria miratoi vendimin për t'i kaluar kompanisë “WhiteRoads Hotel” asokohe me pronar Florenc Gjikurinë edhe një sipërfaqe prej 9 mijë metra katror toke në bregdetin e Drimadhës me qira simbolike prej 1 euro. Ndërsa në vitin 2024, kompania “WhiteRoads Hotel” mori pa kosto edhe 22.000 metra trualli tjetër në Himarë nga shteti si investitor strategjik, pranë Delta përroit të Palasës, zonë e mbrojtur kategoria e tretë. Versus.al

