
Një tentativë arratisje nga burgu i Fierit është tentuar të mbahet “secret” nga drejtoria e burgjeve. Burime bëjnë me dije se mëngjesin e 24 shtatorit, Bledar Selmanaj, i akuzuari për vrasjen e shokut të tij Xhuljan Bullarit në 2021-in, ka tentuar të arratisej duke çarë murin e qelisë.
Selmanaj, për të cilin prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, ka arritur të ngjitet deri në tarracë ku më pas është zbuluar në momentin kur policët po kryenin ndërrimin e shërbimit dhe forcat e sigurisë arritën ta neutralizonin.
Ajo çfarë ka ngritur dyshime është fakti se ngjarja është mbajtur e fshehtë dhe se ende nuk dihet çfarë mjeti ka përdorur Selmanaj për të çarë murin e qelisë së burgut, duke e kthyer këtë skenë të ngjashme me ato që shohim zakonisht në filma. Prej një jave ndodhej në godinën e veçimit dhe dyshohet se ka vepruar i vetëm. Por deri më tani, policia e burgjeve nuk gjen dot shpjegim për faktin sesi i akuzuari ka arritur të çante murin e qelisë, pra duhet të ketë qenë një mjet me masë të madhe dhe në këtë rast, ngrihen dyshime për sigurinë e burgut ku mund të futen edhe sende të tilla.
Ky është rasti i dytë që Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset. Në dhjetor të 2021-it, ai tentoi të arratisej nga spitali i burgut të Tiranës duke dëmtuar hekurat e qelisë, por sërish u pikas dhe u ndalua nga gardianët.
Bledar Selmanaj akuzohet për vrasjen e Xhuljano Bullarit në Vlorë më 21 gusht të vitit 2021. Dyshohet se ai dhe viktima ishin shokë me njëri-tjetrin, por konfliktet mes tyre kishin ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës. Selmanaj nuk e pranon krimin edhe pse hetimet e deritanishme kanë provuar se ai ka qëlluar tre herë ndaj Bullarit i cili nuk pranonte t’i jepte borxhin që i kishte për aktivitetet e paligjshme që kishin kryer. Versus.al







