AKTUALITET /

I ati i Vis Martinajt: SPAK di gjithçka, ju kam thënë emrat e vendin e vrasjes prokurorëve!

Seanca shtyhet sërish për mungesë avokatësh, babai i Martinajt ngre akuza ndaj policisë dhe kërkon zbardhjen e fatit të të birit

Shkruar nga Versus

I ati i Vis Martinajt: SPAK di gjithçka, ju kam thënë emrat e

Është paraqitur për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar babai i Ervis Martinaj, Mustafa Martinaj, në kuadër të procesit gjyqësor për çështjen e pronave të lidhura me të birin.

Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve, duke mos lejuar vijimin e shqyrtimit të çështjes.

Pas daljes nga gjykata, Mustafa Martinaj deklaroi për mediat se autoritetet nuk kanë bërë asnjë përparim në hetimin e zhdukjes së djalit të tij.

Ai pretendoi se u ka dhënë organeve të drejtësisë koordinata dhe emra konkretë, por sipas tij, çështja nuk po zbardhet.

“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin,” u shpreh ai, duke shtuar se në moszbardhjen e ngjarjes, sipas tij, janë të përfshirë edhe drejtues të policisë kriminale të viteve të fundit.

Ai deklaroi gjithashtu se ka dëshmuar në SPAK me kërkesën e tij personale, por që prej asaj kohe nuk ka pasur zhvillime të mëtejshme.

“Askush nuk është interesuar që atëherë,” përfundoi Mustafa Martinaj, duke kërkuar sërish zbardhjen e fatit të të birit.

Ervis Martinaj u raportua i zhdukur në gusht të vitit 2022, pasi humbi kontaktet me familjen në rrethana ende të paqarta. Autoritetet kanë zhvilluar disa hetime dhe kontrolle në zona të ndryshme të vendit, por deri më sot nuk është konfirmuar asnjë gjurmë e tij. Rasti ka mbetur i pazbardhur dhe vijon të jetë një nga dosjet më të diskutuara në opinionin publik dhe në hetimet e drejtësisë shqiptare.

 

 

Poll