AKTUALITET /

Greqi/ Vritet me thikë shqiptari i shumëkërkuar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços

Autori i krimit ishte grek, viktima ishte shqiptare - Të dy burrat ishin kriminelë të dënuar që vuanin dënime për vrasje.

Shkruar nga Versus
Greqi/ Vritet me thikë shqiptari i shumëkërkuar, i dënuar me
Pamje nga burgu në Korydallos/ Jani Aliaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda burgut të Korydallos në Greqi, ku i burgosuri shqiptar Jani Aliaj i dënuar me burgim të përjetshëm është vrarë pas një sulmi me thikë.

Incidenti ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, duke vënë në lëvizje menjëherë autoritetet e burgut dhe forcat e sigurisë, shkruan media greke Prothema.gr.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është një i burgosur grek, i cili e ka goditur viktimën me një mjet të mprehtë të improvizuar.

I plagosuri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Mësohet se si viktima, ashtu edhe autori, ishin të dënuar me burgim të përjetshëm. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

Po kush ishte Jani Aliaj?

Aliaj u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë për ekzekutimin e Çiços, në vitin 2016 brenda një lokali në zemër të Tiranës,  në një atentat që tronditi opinionin publik.

Hetimet treguan se vrasja ishte kulmi i një konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm, i nisur vite më parë në Greqi dhe që lidhej me hakmarrje mes dy grupeve rivale.

Përplasjet mes Aliajt dhe Çiços kishin vijuar edhe gjatë kohës që të dy ndodheshin të burgosur në Greqi, ndërsa pas lirimit, tensionet u zhvendosën në Shqipëri.

Pas viteve në arrati, Aliaj u arrestua nga autoritetet greke ku dhe po vuante dënimin ndërsa drejtësia shqiptare i konfiskoi pasurinë e tij dhe të familjarëve, si pjesë e goditjes ndaj aktivitetit kriminal./Versus.al

Poll