Një 34-vjeçar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut është ndaluar nga autoritetet shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, teksa tentonte të hynte në territorin shqiptar. Ai rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane dhe i dënuar me 20 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
I arrestuari është Alija Arslan, banues në Kërçovë, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Interpol Bern, në zbatim të vendimit të Zyrës së Prokurorit Publik të Kantonit Argau në Zvicër. Sipas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, Arslan është dënuar për shkelje të rënda të Aktit mbi Narkotikët dhe Substancat Psikotrope, në bazë të nenit 19 të Kodit Penal Zvicerian.
Policia shqiptare njofton se kapja e tij është rezultat i kontrolleve të shtuara në kufi, në kuadër të operacioneve për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe për identifikimin e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe ato zvicerane janë duke bashkëpunuar për procedurat e ekstradimit të 34-vjeçarit drejt Zvicrës, ku do të vuajë dënimin e dhënë për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.







