
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po kryen një operacion në kuadër të të cilit është caktuar masë sigurie edhe për avokatin Besart Logu, i cili ka qenë edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD gjatë kohës që Lulzim Basha kishte vulën e partisë.
Mësohet se oficerët e BKH kanë kryer kontrolle në terren si dhe në zyrën e Logut pasi dyshohet se është i përfshirë në një çështje në hetim për të cilën ende nuk ka një informacion zyrtar. Mediat raportojnë se ndaj Logut është caktuar arrest shtëpie nën dyshimin se i kishte marrë një klienti 8 mijë euro duke i premtuar se do t'i përdorte për të ndikuar në ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Sipas informacioneve të siguruara, klienti i Logut ka shtetësi italiane dhe mbahet në burg për mashtrim me TVSH-në. SPAK dyshon se Logu i ka marrë klientit të tij 8 mijë euro duke i premtuar se do t'i përdorë si pagesë për të ndikuar tek prokurori dhe gjyqtari i çështjes së tij për t'i ndryshuar masën e sigurisë.
Logu njihet për daljet e tij mediatike ku ka folur shpesh për situatën në PD dhe së fundmi i ishte bashkuar PD-së së Berishës si anëtar i thjeshtë. Versus.al







