
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas ndeshjes mes Serbisë dhe Anglisë, duke ngritur alarmin për rrezikun që i kanoset kombëtares shqiptare në përballjen e ardhshme ndaj Serbisë.
Në një postim në rrjete sociale, Braçe shkruan se stadiumi në Beograd ishte i mbushur me persona të rrezikshëm, të cilët i cilëson si “kriminelë” dhe madje të armatosur.
Ai paralajmëroi se ajo që ndodhi dje nuk lidhej vetëm me Anglinë, por ishte një “provë gjenerale” për sfidën me Shqipërinë.
“Ne nuk kemi djem për show-n e tyre kriminal. FIFA ka përgjegjësinë unike për jetën e futbollistëve të Shqipërisë. Nuk e ka atë ditë, e ka sot deri atë ditë,” – thekson Braçe, duke i bërë thirrje organit ndërkombëtar të futbollit të marrë masa.
Sipas tij, FIFA duhet të garantojë që stadiumi serb të jetë i boshatisur nga elementë të rrezikshëm, në të kundërt kombëtarja shqiptare do të jetë e pambrojtur “mes vrasësish”.
Deputeti publikoi edhe foto të ultrasve serbë, të cilët i lidh me emra të njohur të krimit në rajon, mes tyre dhe Milan Radojçiç, duke shtuar se prezenca e tyre në stadium është një kërcënim real për sigurinë e lojtarëve kuqezi.
Statusi i plotë i Erion Braçes:
NDESHJA PO AFROHET!
Ky ishte stadiumi dje në Serbi, gjatë ndeshjes kundër Anglisë: i mbushur me kriminelë, e mbi të gjitha me njerëzit e bandës së Banjskës!
Fakti që këta persona janë të lirë nuk është surprizë – kjo është Serbia. Por kur lejohen të futen në stadium pa asnjë pengesë, shpesh edhe të armatosur, ata përbëjnë një rrezik permanent për këdo.
Ajo që ndodhi dje nuk kishte lidhje me Anglinë; ishte një provë gjenerale për ndeshjen me Shqipërinë.
Ne nuk kemi djem që të bëhen pjesë e “show”-ut kriminal të tyre. FIFA, organizatore e eliminatoreve, ka përgjegjësi direkte dhe të menjëhershme për jetën e futbollistëve të Shqipërisë. Kjo përgjegjësi nuk fillon atë ditë, por sot e deri në atë ndeshje.
Nëse stadiumi boshatiset nga këta kriminelë, mirë. Por nëse jo, atëherë djemtë e Shqipërisë do të jenë të pambrojtur, mes vrasësish, njësoj si këta ultras të Radojçiqit që shihen në foto.
View this post on Instagram







