Policia ka ndërmarrë një kontroll të befasishëm në banesën e motrës së Mustafa Licit në Shkodër, si pjesë e hetimeve për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Gjatë kontrollit, forcat e rendit kanë sekuestruar katër armë zjarri. Dyshimet e para tregojnë se autori i dyshuar i vrasjeve, Ragip Gila, mund të ketë vepruar për llogari të Lulzim Kullës, i cili është dhëndër në familjen Lici. Kulla, prej vitesh ka qenë i njohur, i përfolur dhe dyshuar, si “i forti i Shkodrës” që kontrollonte pjesën tregtare duke ushtruar presion dhe terror mbi bizneset. Më 13 janar 2018, ai i mbijetoi një atentat me tritol në një zonë të frekuentuar në Shkodër, por mbeti i plagosur
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, përfshirë edhe Barush Bregun, 33-vjeçarin e konsideruar e dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në këtë qytet të drejtuar nga Ibrahim Lici.
Në deklaratën e tij të parë para hetuesve, Ragip Gila ka deklaruar se shënjestra e tij ka qenë vetëm Erogen Vaso (i njohur edhe si Erogen Brajoviç), vëllai i Denis Brajoviç, për shkak të një konflikti personal.
“Erogen Vaso më ka kërcënuar dhe kemi patur përplasje. Më ka dërguar fjalë dhe është sjellë si i fortë. E kam pasur personale vetëm me të dhe synimi im ishte ta qëlloja vetëm atë,” është shprehur Gila gjatë marrjes në pyetje.
Si pasojë e të shtënave që ndodhën këtë mëngjes, humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Të plagosur mbetën Erogen Vaso (Brajoviç), i cili dyshohet se ishte objektivi kryesor i atentatit, dhe Meri Kaceri, banakierja e lokalit ku ndodhi ngjarja.







