Fjala e Jonaid Myzyrit të Prokurimeve Publike, ishte urdhër, edhe kur ky urdhër ishte në shkelje me ligjin, por duhej zbatuar. Kjo del në pah nga Jonida Sekja, një e bashkëpandehur me Myzyrin për shpërdorim detyre, lidhur me dosjen e një tenderi rruge në Mirditë. Hetimi për këtë aferë, nxori në pah një super-grabitje në banesën e zyrtares së KPP-së në një fshat të Librazhdit, ku ishin grabitur të paktën 200 mijë euro si dhe u rrëmbye për pak kohë i vëllai i saj. SPAK i sekuestroi telefonin Skejës, ku u zbuluan bisedat me miqtë e familjarët e saj.
Por aty u konfirmua një denoncim i kreut të opozitës Sali Berisha 5 vite më parë, ku denonconte grabitjen nga bandat sikurse thoshte ai të Suel Celës, hetimi nxjerr në pah edhe se çfarë bëhej në Drejtorinë e Prokurimeve Publike. Lindita Skeja implikon titullarin Jonaid Myzyri në procedurat abuzive të tenderit për të cilin edhe është ngritur akuza dhe është pezulluar nga detyra me masë detyrim paraqitje. Skeja i ankohet bashkëbiseduesit në telefon se kishte firmosur siç i ishte kërkuar nga Myzyri, ndërsa tani asaj i duhej të paraqitej për t’u marrë në pyetje.
“Punonjësit firmosin letrat, ndërsa lekët i marrin të tjerët. Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime vemë ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata. Ai na majti kështu… krijuam besim që ne jemi miqtë e atij, edhe rrimë të qetë. Na mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni”- është shprehur gjatë zyrtarja Jonida Skeja gjatë bisedës së përgjuar.
Ndërsa në një nga mesazhet bashkëbiseduesi i thotë: “A mos i hëngërt o Zot”
Burime pranë SPAK thotë se dosja ndaj zyrtarë të KPP ka prova bindëse për abuzimin me detyrën, por objekt i saj është për momentin shpërdorimi i detyrës, ndërsa po kryhen hetime edhe për raste korrupsioni nisur nga bisedat e Jonida Skejës në telefon si dhe shumën e parave që dyshohet të jenë grabitur në banesën e saj. “Sa i takon kësaj të fundit, po hetohet nga prokuroria e Elbasanit dhe ne kemi kërkuar informacione që mund ta na shërbejnë për të gjurmuar prejardhjen e parave, dhe nëse janë vërtetë sic pretendoi Skeja gjatë marrjes në pyetje se ia kanë dërguar të afërmit nga jashtë, apo mund të jenë të ardhura me burim korrupsionin”, tha një burim në dijeni të hetimeve.
SPAK pretendon se hetimet e deritanishme krijojnë dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime. Përveç këtij tenderi, prokurori Elvin Gokaj po heton edhe procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë. Versus.al







