Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për ish-CEO-n e “Bankers Petroleum”, Leonidha Cobo, duke e zëvendësuar arrestin me burg me arrest shtëpie. Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Cela.
Leonidha Cobo ishte arrestuar në korrik të këtij viti, së bashku me 9 persona të tjerë, pas një aksioni në zyrat e “Bankers Petroleum Albania” në Fier.
Ai akuzohet për veprën penale të “Pastrimit të parave”.
Çobo në kohën kur mbante postin e drejtorit të “Bankers Petroleum” përveçse dëmit marramendës ekonomik të shkaktuar për shtetin shqiptar duke përfituar nga rimbursimi i mln euro TVSH dhe duke mos paguar tatime mbi fitimin, sipas dosjes së prokurorisë së Fierit, dyshohet se ka zhvatur vazhdimisht kompaninë ku kishte mbajtur disa pozicione.
Çobo kishte ngritur një skemë të mirëmenduar të kalimit të parave nga “Bankers Petroleum” tek kompania e vëllait dhe kunatës së tij “Tea Co” sh.p.k me fatura për shërbime fiktive, tek subjekti “Leonidha Çobo” ku ishte i punësuari i vetëm dhe pa pagë si dhe tek kompania “Tetra” sh.p.k ku ishte aksioner.
Përveç pagesave marramendëse për kompaninë “Tea Co” sh.p.k Çobo në 2019-ën para se të largohej nga kompania “Bankers Petroleum” hapi shoqërinë “Leonidha Çobo” PF ku ishte i punësuari i vetëm dhe deri në vitin 2023 nuk ishte deklaruar aktive në balance.
Me një zyrë me sipërfaqe 40 m² të marrë me qira për 23 mijë lekë në muaj, Çobo faturonte kompaninë e vëllait dhe kunatës së tij për të nxjerrë fonde nga kompania “Bankers Petroleum” e cila ishte e detyruar që të vijonte kontratën e firmosur me “Tea Co” sh.p.k deri në vitin 2020. Pas këtij viti, kompania deklaroi humbje për tr evite me radhë derisa në mars të këtij viti deklaroi mbylljen.
Përgjatë vitit 2019-2020, Çobo me kompaninë e tij i ka faturuar kompanisë të vëllait dhe kunatës së tij plot 21,053,250 lekë edhe pse nuk kishte asnjë person të punësuar në kompaninë e tij./Versus.al


