Leonidha Çobo ish-drejtori i “Bankers Petroleum” përveçse dëmit marramendës ekonomik të shkaktuar për shtetin shqiptar duke përfituar nga rimbursimi i mln euro TVSH dhe duke mos paguar tatime mbi fitimin, sipas dosjes së prokurorisë së Fierit, dyshohet se ka zhvatur vazhdimisht kompaninë ku kishte mbajtur disa pozicione.
Çobo kishte ngritur një skemë të mirëmenduar të kalimit të parave nga “Bankers Petroleum” tek kompania e vëllait dhe kunatës së tij “Tea Co” sh.p.k me fatura për shërbime fiktive, tek subjekti “Leonidha Çobo” ku ishte i punësuari i vetëm dhe pa pagë si dhe tek kompania “Tetra” sh.p.k ku ishte aksioner.
Përveç pagesave marramendëse për kompaninë “Tea Co” sh.p.k të cilat i përmendëm në artikullin e mëparshëm të Versus.al, Çobo nuk është mjaftuar me kaq dhe në 2019-ën para se të largohej nga kompania “Bankers Petroleum” hapi shoqërinë “Leonidha Çobo” PF ku ishte i punësuari i vetëm dhe deri në vitin 2023 nuk ishte deklaruar aktive në balance. Me një zyrë me sipërfaqe 40 m² të marrë me qira për 23 mijë lekë në muaj, Çobo faturonte kompaninë e vëllait dhe kunatës së tij për të nxjerrë fonde nga kompania “Bankers Petroleum” e cila ishte e detyruar që të vijonte kontratën e firmosur me “Tea Co” sh.p.k deri në vitin 2020. Pas këtij viti, kompania deklaroi humbje për tr evite me radhë derisa në mars të këtij viti deklaroi mbylljen.
Përgjatë vitit 2019-2020, Çobo me kompaninë e tij i ka faturuar kompanisë të vëllait dhe kunatës së tij plot 21,053,250 lekë edhe pse nuk kishte asnjë person të punësuar në kompaninë e tij.
Subjekti "Leonidha Çobo" PF, ka pasur këto deklarata mbi fitimet ndër vite:
Në vitin 2019, 14,283,630 lekë, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin;
Në vitin 2020- 40,301,189 lekë të ardhura
Në vitin 2021- 6,150,153 lekë;
Në vitin 2022- 12,874,000 lekë të ardhura;
Në vitin 2023- 40,508,990 lekë
Në vitin 2024- 13,371,830 lekë të ardhura
Faturimi i nënkontraktorëve të “Bankers Petroleum”
Në total Leonidha Çobo ka gjeneruar të ardhura për vitet 2019-2024 në vlerën prej 155,119,149 lekë. Përveç shoqërisë së kunatës së tij "Tea - Co" sh.p.k, që fillon t'a faturojë menjëherë pas largimit nga shoqëria "Bankers Petroleum Albania Lid", vihen re dhe kliente të tjerë që faturon prej tij dhe janë nënkontraktorë të shoqërisë "Bankers Petroleum Albania Lid" si p.sh:
Shoqëria "AL.GLOBAL OIL" sh.p.k është faturuar nga “Leonidha Çobo” PF në vlerën prej 30,980,040 lekë, për vitin 2022-2023
Për vitet 2019-2021, “Leonidha Çobo” PF faturon shoqërinë "H2015 sh.p.k me 29,570,040 lekë.
Nga faturat e shitjes konstatohet se, subjekti "Leonidha Çobo" PF ka faturuar shoqërinë "GREENHOUSE SMART TECHNOLOGY LTD" që rezulton të jetë e regjistruar në Bullgari. Në faqen e internetit kjo kompani rezulton të ketë si aktivitet tregtimin e furnizimeve bujqësore duke mos patur asnjë lidhje me naftën apo me hidrokarburet. Kësaj kompanie Çobo i kishte faturuar 1,726,868 lekë.
Skema e vetëfaturimit për shmangien e tatimeve dhe legjitimimin e të ardhurave
Në librat e shitjes të kompanisë “Leonidha Çobo” PF rezultojnë të ardhura të konsiderueshme të ofruara ndaj një kompanie në fushën e teknologjisë ku nuk kishte asnjë lloj kualifikimi apo experience të mëparshme. Që prej qershorit të vitit 2023, Çobo u bë aksioner në kompaninë “Tetra” sh.p.k me objekt aktivitete të programimit informatik. Vlera e faturimeve me përshkrim "shërbime konsulence" për vitin 2023-2024, rezulton të jetë 18,264,048 lekë. Sipas prokurorisë, janë ngritur dyshime për transaksion të vetë-faturuar me qëllim justifikimin e të ardhurave të pajustifikuara që Leonidha Çobo kishte arritur të siguronte nga Bankers Petroleum.
Gjithashtu një tjetër rast i kësaj skeme rezulton të jetë përdorur nga subjekti “Leonidha Çobo” PF kundrejt “LC Consulting” sh.p.k ku sërish Leonidha Çobo është i vetmi aksioner me aktivitet të këshillimit për biznes dhe menaxhim. Gjatë vitit 2024-2025, me kompaninë e tij “Leonidha Çobo” PF, ish-drejtori i “Bankers Petroleum” ka faturuar kompaninë e tij tjetër “LC Consulting” sh.p.k me 12,695,548 lekë. Kjo lëvizje ka ngritur sërish dyshime për vetëfaturim me transaksion pa vlerë reale ekonomike me qëllim për të manipuluar të ardhurat, shmangur detyrimet tatimore dhe për të justifikuar burimet e të ardhurave të pajustifikuara. Versus.al







