AKTUALITET /

Informacione sekrete nga ish-efektivi i RENEA-s, ja sesi Durim Bami shpëtonte nga kontrollet për parcelat me kanabis

Në dosjen "Revanshi", Durim Bami akuzohet si kreu i grupit që merrej me trafikun e kanabisit dhe merrte informacione nga ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina.

Shkruar nga Versus
Informacione sekrete nga ish-efektivi i RENEA-s, ja sesi Durim Bami
Durim Bami, Altin Morina

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 27 persona, pjesë të disa grupeve kriminale, të akuzuar për një sërë veprash penale si vrasje dhe trafik droge.

Mes 27 të pandehurve të cilët SPAK i dërgoi për gjykim në dosjen ‘Revanshi’ është edhe Durim Bami, personazh i njohur i botës së krimit i cili është ekstraduar së fundmi nga Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u përballur me akuzat që rëndojnë kundrejt tij.

Në dosjen ku në fokus është aleanca e disa grupeve për eleminimin e tij, Durim Bami akuzohet për drejtimin e një grupi kriminal në fushën e kultivimit dhe trafikut të drogës në zonën e Fushë Krujës dhe Krujës.

Për të vijuar me veprimtarinë e tij kriminale krejt i pashqetësuar, Durim Bami ndihmohej nga ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina i cili i jepte informacione apo shmangte kontrollet për kanabis pranë parcelave të tij. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë kriminale së bashku me ish-efektivin e RENEA-s.

Pjesë nga njoftimi i SPAK:

I pandehuri Durim Bami ka organizuar, drejtuar dhe financuar një grup të strukturuar kriminal, të destinuar në kultivimin e bimëve narkotike kanabis sativa, në fshatin Nikël, Fushë-Krujë gjatë periudhës kohore, dhjetor 2019-korrik 2020, si dhe në zonën e Njësisë Administrative Bubq, të Bashkisë Krujë, si para ashtu dhe gjatë muajit shtator 2020, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Ai ndihmohej në veprimet e tij të kundraligjshme nga punonjës të policisë së shtetit, si i pandehuri Altin Morina dhe shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët jepnin informacione, apo ndihmonin në shmangien e kontrolleve të parcelave të mbjella me bimë narkotike.

Më 3.4.2025, të pandehurit, Altin Morina, i shpallur person në kërkim, në automjetin e tij iu gjetën dhe sekuestruan nga punonjësit e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.2, Tiranë, një armë zjarri pistoletë model BERRETA PX4, kalibër 9x21mm, prodhim italian, me numër “PJ07009”. Arma, e cila mbahej pa leje, ishte e rregullt teknikisht dhe e përshtatshme për qitje, me një fishek në folenë e fishekut, si dhe 9 (nëntë) fishekë të tjerë në krëhërin e saj. Versus.al

Poll