AKTUALITET /

Instituti i Gjeoshkencave: Deri kur do të vijojë moti i keq

Shkruar nga Versus

Instituti i Gjeoshkencave: Deri kur do të vijojë moti i keq

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në disa qarqe të vendit. Rrugët dhe lagjet kryesore në Durrës u bllokuan sot për shkak të ujit. Në disa shkolla dhe Universitetin e Durrësit u pezullua mësimi, ndërsa në burgun që ndodhet në këtë qytet, kati i parë u përmbyt duke detyruar drejtuesit e institucionit të evakuonin katin e parë.

Instituti i Gjeoshkencave njofton se deri të enjten priten reshje me intensitet të lartë shiu.

“Do të vazhdojë të jetë kritike për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve, të cilat kryesisht janë të fokusuara në veri dhe në jug të vendit, ndërsa në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës presim që të kemi reshje intensive dhe lokalisht shkojnë shumë intensive”, tha Anira Gjoni, specialiste e IGJEO.

Në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë përmbytje për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje të dherave.

Situata problematike do të vijojë edhe në Durrës, edhe pse intensiteti i reshjeve është më i ulët.

“I gjithë qarku i Durrësit, pritet që reshjet të vijojnë përgjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme të jenë mesatare dhe lokalisht shkojnë deri intensive. Kjo sjell edhe problematika sa i takon qendrave urbane për shkak të vërshimit të shpejtë të ujit”, shpjegoi specialistja.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë e vendit, ku më problematikë situata do të paraqitet në lumenjtë Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës.

Të enjten temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, reshjet e shiut do të zëvendësohen nga dëbora./Versus.al

Poll