AKTUALITET /

“Iu vërsul papritur”, gjyshja rrëfen momentin e tmerrit kur pitbulli i kafshoi mbesën 4 vjeçare në kokë

Shkruar nga Versus

“Iu vërsul papritur”, gjyshja rrëfen momentin e tmerrit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një vajzë 4-vjeçare është kafshuar nga një qen i racës pitbull.

E mitura ndodhej në shëtitje me gjyshen e saj buzë detit, kur është sulmuar papritur nga qeni. E tronditur, gjyshja ka rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes, duke treguar se kishte tentuar të shmangte rrezikun, por sulmi ka qenë i menjëhershëm.

“Kishim dalë xhiro buzë detit, erdhi një qen i madh, iu vërsul vajzës edhe e kafshoi në kokë. Ishim duke u kthyer në shtëpi… e pashë qenin dhe e kalova vajzën në krahun tjetër. Ai bëri sikur iku, por u kthye dhe iu hodh vajzës. S’e mbrojta dot… ndërhynë shumë veta”, u shpreh ajo mes lotësh.

Sipas saj, qeni fillimisht u largua, por më pas u rikthye dhe sulmoi të miturën në mënyrë të papritur.

Vajza është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e saj po ndiqet nga mjekët.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve për menaxhimin e qenve endacakë dhe sigurinë në zonat publike./Versus.al

 

Tags:

pitbull

Poll