AKTUALITET /

“Jeni shejtanë, na gjykon veç Zoti”, Uka dhe Cumrraku dyshohet se do kryenin sulm terr*rist, i ndihmonte një i tretë

Edhe në lokale Uka, Cumrraku dhe personi i tretë qëndronin me kokë ulur që të mos identifikoheshin.

Shkruar nga Versus
“Jeni shejtanë, na gjykon veç Zoti”, Uka dhe Cumrraku
Julian Cumrraku, Erzen Uka

Erzen (Hamza) Uka dhe Julian Cumrraku, dy të arrestuarit pas dyshimeve se po organizonin një sulm terrorist, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim të heshtur para grupit hetimor të ngritur nga policia.

Të dy u vetëdorëzuan pas ngujimit për 12 orë në një banesë të braktisur të fshatit Orosh në Fushë Arrëz, brenda së cilës më pas u gjetën 4 kallashnikovë, pistoletë, flamur i organizatës Terroriste ISIS dhe 17 granata.  Të vetmet deklarata që kanë bërë deri më tani, janë etiketime të efektivëve me fjalët “jeni shejtanë”. Ndërsa thonë se gjykohen vetëm nga Zoti e nga askush tjetër.

Megjithatë, hetimet e policisë kanë zbuluar deri tani se dy të arrestuarit mbështeteshin nga një person i tretë. Gjatë kohës që qëndronin nëpër lokale, të tre e mbanin kokën ulur me qëllim që të mos identifikoheshin.

Herën e fundit, kur janë parë, gjatë mbrëmjes së 18 nëntorit, Uka dhe Cumrraku kanë bërë blerje, ndërsa personi i tretë ende i paidentifikuar, ka qëndruar në këmbë në një zonë me pak ndriçim në qendër të qytetit ish-industrial. Personi me flokë të gjata të lidhura dhe pantallona kamuflazhi është parë herë pas here, madje edhe duke prerë dru, me Ukën dhe Cumrrakun.

Uka ka marrë sërish ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës për shkak të plagës në kofshën e djathtë. Ai qëlloi veten në momentin që RENEA i rrethoi me qëllim që më pas ta përdorte këtë për të fajësuar policinë. Versus.al

Poll