AKTUALITET /

Jo vetëm Pacolli, në gjyqin për Liridonën del edhe administrator i aeroportit të Vlorës: Lluka pagoi dhomën e hotelit për të akuzuarin

Në gjyqin për vrasjen e Liridonës Ademaj, del emri i Valon Llukës, ish-administrator i aeroportit të Vlorës: Kushtrim Kokalla thotë se dhomën e hotelit ia pagoi pikërisht ai pas krimit. Reagim i ashpër nga Behgjet Pacolli për përmendjen e tij në dëshmi!

Shkruar nga Versus
Jo vetëm Pacolli, në gjyqin për Liridonën del edhe
Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla/ Granit Plava/ Behxhet Pacolli dhe Valon Lluka/ Liridona Ademaj

Gjyqi për vrasjen makabre të Liridona Ademajt në Kosovë ka nisur zyrtarisht, ndërsa dëshmitë e para në sallën e gjyqit po tronditin opinionin publik, për shkak të emrave që po dalin nga të akuzuarit për krimin që fillimisht u tentua të paraqitej si grabitje.

Sipas aktakuzës, bashkëshorti i saj, Naim Murseli, akuzohet se ka paguar Granit Plavën për ta ekzekutuar Liridonën, ndërsa kushëriri i tij, Kushtrim Kokalla, akuzohet se ka pasur dijeni për planifikimin e vrasjes.

Në seancën e djeshme në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i pandehuri Granit Plava deklaroi se vrasja është kryer në marrëveshje me Naim Murselin dhe se ky i fundit i kishte thënë se për këtë plan ishte në dijeni edhe biznesmeni Behgjet Pacolli, duke përmendur “pushtetin” që kishin dhe premtimin se ai nuk do të qëndronte më shumë se dy vite në burg.

Përfshirja me emër e Pacollit në dëshmi ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të tij, i cili, me një reagim publik, i cilësoi këto deklarime si shpifje dhe produkt të njerëzve “që kthehen me pabesi sapo ndalet dora që i ka ndihmuar”, duke folur për “varfëri karakteri” të atyre që përmendin emra që, sipas tij, nuk kanë lidhje me jetën e tyre.

Paralelisht me këtë, në proces është përmendur edhe emri i ish-bashkëpunëtorit të Pacollit, Valon Lluka.

Kushëriri i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla, ka dëshmuar se pas ngjarjes ka qëndruar në një hotel luksoz dhe se dhomën ia ka paguar miku i tij, Valon Lluka, me arsyetimin se vetë nuk kishte mundësi ekonomike për ta përballuar një qëndrim të tillë.

Lluka ka qenë administrator i shoqërisë “Vlora International Airport – VIA sh.p.k.” deri në shtator 2025, kohë kur është shkarkuar pas përplasjeve mes Behgjet Pacollit dhe ortakut tjetër të kompanisë, Valon Ademi, konflikt që u pasua edhe me masa gjyqësore dhe akuza publike për mënyrën e menaxhimit të aeroportit.

Përplasjet në biznes mes Pacollit dhe Ademit, që çuan edhe në largimin e Llukës nga posti i administratorit, po rikthehen tani në vëmendje për shkak të lidhjes së emrit të tij me ngjarjen tragjike në Kosovë.

Në gjykatë, Kushtrim Kokalla ka këmbëngulur se për vrasjen e Liridonës ka mësuar fillimisht nga portalet, duke pretenduar se mendonte se bëhej fjalë për një grabitje, ashtu siç u raportua në orët e para pas krimit, dhe se shkoi në Prishtinë me familjen për të qëndruar pranë familjes Ademaj, pa pasur rol në ngjarje.

Procesi gjyqësor pritet të vijojë me dëshmi të tjera dhe administrim provash, ndërsa pritet të qartësohen më tej rolet, përgjegjësitë dhe vërtetësia e deklarimeve që kanë nxjerrë në skenë emra të njohur të biznesit dhe jetës publike./Versus.al

 

Poll