AKTUALITET /

Vrasja e Liridona Ademajt/ Dëshmia e fortë e Plavës: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për rastin

Plava rrëfeu se marrëveshja mes tyre ishte bërë disa ditë para ngjarjes, kur ishin takuar me iniciativë të Murselit. Sipas tij, ky i fundit i kishte kërkuar të mos fliste me askënd dhe madje i kishte dhënë para që në fillim.

Shkruar nga Versus
Vrasja e Liridona Ademajt/ Dëshmia e fortë e Plavës: Kisha
Granit Plava dhe Naim Murseli

I akuzuari Granit Plava dha dje një dëshmi të detajuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku deklaroi se kishte pasur marrëveshje me Naim Murselin për të marrë përsipër përgjegjësinë e vrasjes së Liridona Ademajt.

Ai theksoi se të gjitha veprimet i kishte kryer sipas udhëzimeve të Murselit dhe në bazë të asaj që kishin rënë dakord më herët.

Plava rrëfeu se marrëveshja mes tyre ishte bërë disa ditë para ngjarjes, kur ishin takuar me iniciativë të Murselit. Sipas tij, ky i fundit i kishte kërkuar të mos fliste me askënd dhe madje i kishte dhënë para që në fillim.

“M’i ka lanë në tavolinë… më tha mos fol hiç”, deklaroi Plava, duke shtuar se Murseli kishte shpërndarë para edhe për persona të tjerë të përfshirë.

Ai pretendoi se shuma e përmendur fillimisht prej 30 mijë eurosh ishte vetëm për t’u deklaruar në polici, ndërsa në realitet marrëveshja ishte për një shumë shumë më të madhe.

“Këto 30 mijë euro që kam thanë në Polici… në fakt kanë pas me u dhanë 250 mijë euro, por gradualisht”, tha ai, duke shtuar se këto para ishin “dhuratë për mbajtjen e burgut”.

Sipas Plavës, përveç parave, Murseli i kishte premtuar edhe punë dhe mbështetje për familjen, si dhe e kishte siguruar se nuk do të qëndronte gjatë në burg.

“S’ki me i mbajt as dy vjet burg… e di çfarë pushteti kam”, citoi ai fjalët e Murselit, duke shtuar se i ishte ofruar edhe një pagë mujore dhe një veturë.

Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli.

“Me fjalë të Naimit qysh m’ka thanë Naimi, m’ka thanë që edhe Behgjet Pacolli për këtë rast ka qenë në dijeni, ti e di çfarë pushteti kemi na, më ka thanë. Nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, u shpreh Plava.

Në dëshminë e tij, Plava dha edhe versionin e ngjarjes së 29 nëntorit 2023. Ai tregoi se atë ditë ishin takuar në një pompë derivatesh dhe më pas kishin lëvizur së bashku. Sipas tij, Murseli kishte qenë i tensionuar dhe vazhdimisht në telefon.

Duke folur për momentin e blerjes së armës, Plava tha:

“E ka marrë Naimi revolen, e ka shti në xhep… ky e kish ba planin me i marrë fishekët deri t’i ndërrojmë gomat.”
Më tej, ai rrëfeu se kishte ndjekur udhëzimet e Murselit deri në momentin e ngjarjes. Sipas tij, kishte dëgjuar krismën e armës dhe më pas kishte parë Murselin duke iu afruar.

“E kam ni krismen e armës… u ardhë ma ka gjujt armën edhe ka thanë ‘ik zhduku’”, deklaroi Plava.

Ai shtoi se pas kësaj ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke marrë armën me vete.

Plava theksoi gjithashtu se fillimisht nuk e dinte kush ishte viktima dhe se vetëm një ditë më pas kishte kuptuar se bëhej fjalë për bashkëshorten e Murselit.

“Asnjëherë s’më ka tregu kush është personi… më ka thanë veç ki me marrë përgjegjësi”, u shpreh ai.

Në dëshminë e tij, Plava deklaroi se dëshminë e mëparshme në polici e kishte dhënë nën presion dhe në përputhje me marrëveshjen që kishte me Murselin.

“Atë deklaratë që e kam dhënë ka qenë nën presion të policisë”, tha ai, duke shtuar se tani po tregonte versionin e tij të vërtetë.

Në fund, ai shprehu keqardhje për ngjarjen, duke theksuar se nuk ishte në dijeni të plotë për rrethanat dhe viktimën.

“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh”, deklaroi Plava, përpara se të njoftonte se në vijim do të mbrohej në heshtje./Betimi për drejtësi

Poll