Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me situatën në Theth, ku operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje tashmë ka përfunduar. Në një bilanc të aksionit, Rama bëri të ditur se janë shembur rreth 100 objekte me mure apo konstruksion druri, të cilat kishin shkelur ligjin për zonat e mbrojtura.
Sipas kreut të qeverisë, aktualisht ka nisur procesi i pastrimit të inerteve, ndërsa forcat e xhenios nuk do të largohen nga zona deri në përfundimin e plotë të pastrimit dhe rikthimin e normalitetit.
Pavarësisht rezistencës së disa banorëve gjatë aksionit, Rama theksoi se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore nuk do të komprometohet.
“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenios, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje - nga ato me mure tek ato me konstruksion metalik e me dru - në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.
Forcat e xhenios nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama. /Versus.al







