
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK për përplasjen me armë të ndodhur në fshatin Bushat në gusht të vitit 2024, ku objektiv i atentatit dyshohet të ketë qenë Aleksandër Prendi.
Sipas hetimeve, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani dhe Franko Leka dyshohet se kishin organizuar një plan për eliminimin e Prendit, por në momentin e ekzekutimit janë hasur në pritë nga vetë shënjestra.
Nga zbërthimi i telefonave celularë të të pandehurve, SPAK ka siguruar video, foto dhe komunikime që, sipas akuzës, dokumentojnë aktivitetin kriminal të grupit, interesin për armët dhe stërvitjet me qitje.
Në një prej videove të administruara në dosje, Izmir Sakicaj shfaqet duke qëlluar me armë automatike në një zonë të pabanuar, ndërsa një person tjetër i paidentifikuar duket se e udhëzon për përdorimin e armës.
Po ashtu, në telefonin e Sakicajt janë gjetur edhe foto ku shfaqen armë të ekspozuara në mur, si dhe video me shuma të mëdha parash cash, kryesisht kartëmonedha 20 dhe 50 euro.
Sipas SPAK, një tjetër video tregon Samuel Troshanin duke bërë qitje me armë pistoletë në shoqërinë e një vajze të paidentifikuar.
Në dosjen hetimore përfshihen edhe biseda të koduara mes personave të dyshuar, ku flitet për lëvizje të dyshimta pranë banesës së familjes Prendi në Rranxë, kontrolle policie dhe kamera sigurie që mund të kishin filmuar lëvizjet e autorëve.
Në komunikime përmenden edhe persona me pseudonimet “Cavalli”, që dyshohet të jetë Andrea Prendi, dhe “Noizy”, pseudonim i përdorur për Gëzim Prendin.
Sipas SPAK, bisedat tregojnë shqetësimin e grupit për kamerat e sigurisë në zonë dhe për prova që mund të lidhnin autorët me ngjarjen./Versus.al

