Kompania me ortake të vetme shtetasen Ariola Hysa do të ndërtojë në zonën e Laprakës një godinë rezidencial dhe shërbimesh me 22 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë. Bëhet fjalë për një leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në rrugën “Gjergj Legisi”.
"Hein – Invest” sh.p.k është themeluar në muajt e fundit të vitit 2022 dhe pas tre vitesh ka mundur të sigurojë një leje ndërtimi për kullë në Tiranë, në zonën e ish-sheshit Shqiponja, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.
Kjo kompani ka deklaruar kapital themeltar në vlerën e 100 lekëve të reja apo 1 mijë lekëve të vjetra, ndërkohë që pasqyrat financiare që ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit deklaron total detyrimesh dhe kapitali 19 miliardë lekë.
Pronarja në letra dhe administratorja e kompanisë Ariola Hysa nuk ka ndonjë historik biznesi dhe nuk zotëron ndonjë kompani tjetër, ndaj ka ngritur dyshime mbi aktivitetin dhe personat që mund të qëndrojnë pas saj për të marrë leje për kulla.
Projekti që "Hein – Invest" sh.p.k parashikon të ndërtojë në zonën e Laprakës ka vlerë miliona euro.
Leje Ndërtimi për objektin “Godinë Rezidenciale dhe shërbime tregtare me 22 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Gjergj Legisi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Hein – Invest” sh.p.k.
Kjo është leja e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit për kompaninë në pronësi të Ariola Hysës, ama se çfarë do të ndodhë në realitet dhe cili do të jetë burimi i parave për realizimin e investimit, mbetet për t'u parë.
Autoritetet e zbatimit të ligjit dhe SPAK kanë zbuluar shpesh kompani fantazmë që ngrihen brenda disa muajsh dhe ndonëse nuk kanë pasur asnjëherë aktivitet ekonomik, lëshojnë fatura dhe dokumente financiare sikur të kenë qarkulluar milionat, vetëm që të legjitimojnë statusin e tyre e më pas të përfshihen në projekte publike./Marrë nga Newbomb
