
Gjykata e Lartë ka vendosur t’i japë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli dhe të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi.
Trupa gjykuese e Kolegjit Civil vendosi të ndryshojë vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, të cilat kishin pranuar kërkesën për masë sigurimi padie.
Kjo masë kishte si qëllim pezullimin e përkohshëm të disa vendimmarrjeve dhe procedurave administrative brenda shoqërisë koncesionare që menaxhon projektin e Aeroportit të Vlorës.
Në thelb, mosmarrëveshja mes palëve lidhet me kontrollin dhe administrimin e kompanisë koncesionare “Vlora International Airport”. Konflikti lindi pasi “2A Group” pretendoi se kishte fituar të drejtën mbi një pjesë të konsiderueshme të aksioneve të shoqërisë, ndërsa kompania “Mabco” e biznesmenit Behgjet Pacolli kundërshtoi këtë pretendim dhe kërkoi pavlefshmërinë e kontratës së transferimit të kuotave.
Përplasja mes ortakëve u shoqërua me procese gjyqësore, akuza reciproke dhe tensione për kontrollin e vendimmarrjes në shoqërinë që po ndërton aeroportin.
Prej ditësh, punëtorët e Mabco-s nuk lejohen të futen në kantier.
Projekti i aeroportit të Vlorës konsiderohet një nga investimet strategjike të qeverisë për turizmin dhe transportin ajror në jug të vendit. Aeroporti po ndërtohet në zonën e Akërnisë dhe synon të shërbejë si porta kryesore ajrore e rivierës shqiptare.

