AKTUALITET /

Konflikti në Ksamil, pronari i “Euro Hotel” pas dhunës: Do të vetëmbrohem, ja çfarë më tha kryebashkiaku!

Pashaj deklaron se prej disa muajsh po përballet me kërcënime dhe pengesa për të përfituar të drejtën e tij ligjore për menaxhimin e hapësirave publike të plazhit.

Shkruar nga Versus
Konflikti në Ksamil, pronari i “Euro Hotel” pas dhunës: Do
Pamje nga sherri mes Albert Pashajt dhe Agim Taraj

Biznesmeni Albert Pashaj, pronari i hotelit në Ksamil i cili u dhumua dje me sende të forta ka bërë një deklaratë  lidhur me situatën e tij në plazhin e Sarandës, ku denoncon dhunë dhe presione të vazhdueshme nga konkurrenti i tij Agim Taraj dhe autoritetet lokale.

Ai thotë se prej disa muajsh po përballet me kërcënime dhe pengesa për të përfituar të drejtën e tij ligjore për menaxhimin e hapësirave publike të plazhit.

Pashaj tregon se, megjithëse ka marrë miratimin nga Agjencia Bregdetare për vendosjen e 52 çadrave dhe plotëson të gjitha kushtet, bashkia nuk i lejon finalizimin e procesit, duke vonuar dhe shmangur matjet në terren.

Ai thotë se është kërcënuar dhe dhunuar publikisht në mes të turistëve, rast i cili është dorëzuar në prokurori.

“Jam i goditur në kokë, jam i çarë. Dhuna ndaj meje dhe familjes nuk ka filluar dje, por prej muajsh,” tha Pashaj.

Ai shton se bashkia e Sarandës nuk i ka dhënë asnjë shpjegim të shkruar për refuzimin dhe se i është kërkuar që të pranojë të marrë vetëm një pjesë të çadrave, duke ia lënë pjesën tjetër rivalit të tij, Taraj, i cili nuk ka strukturë akomoduese.

Pashaj: Jam i goditur në kokë, jam i çarë. Problematika nuk është se ka filluar dje. Jo vetëm dhuna fizike ndaj meje dhe familjes, por ka disa muaj. Që kur janë hapur aplikimet e plazheve në 15 nëntor, jam kërcënuar nga Agim Taraj, indirekt dhe direkt që të tërhiqem dhe të mos aplikoj.

I kam thënë jo se mua ma jep ligji, kam investuar disa miliona euro nuk mund të kem hotel, njësi akomoduese kur e jep dhe ligji dhe të mos kemi shezlonge. Këto presione kanë vijuar vazhdimisht. Kam marrë aprovimin nga Agjencia Bregdetare, janë aprovuar 52 çadra për strukturën akomoduese se plotësoj të gjithë kushtet.

Kur merr aprovimin, më kanë thënë të paraqitem në bashki, të bëj pagesën e qirasë dhe të vijë bashkia të bëjë matjet për vendosjen e çadrave. Kam shkuar atje dhe bashkia më ka thënë jo prit sot dhe jo prit nesër.

Pastaj më nxori që nuk merr aq çadra sa ke marrë ti dhe subjekti tjetër Agim Taraj, që nuk ka strukturë akomoduese nuk ka fare hotel. I jam drejtuar Agjencisë së Bregdetit dhe i kam thënë që bashkia nuk më aprovon për këtë arsye.

Ata më thonë që bashkia ka detyrë të bëjë matjet në terren. Bashkia nuk erdhi kurrë dhe luante ping pong me Agjencinë e Bregdetit. Kam vënë në dijeni Kumbaron 2-3 herë. Më 6 qershor ka ardhur Taraj dhe në sytë e 50-60 turistëve më ka dhunuar , kam bërë kallëzim dhe çështjen e ka prokuroria. 

Familja, nusja bashkë me fëmijët ka shkuar për të bërë plazh, në plazhin e ashtuquajtur publik se nga momenti që bashkia nuk erdhi të më miratonte planin dhe unë nuk plotësova dokumentet që t’i dërgoja tek Agjencia Bregdetare dhe pasi merr aprovimin nga Agjencia e Bregdetit duhet të vijë bashkia.

Unë nuk e bëra se bashkia nuk erdhi kurrë dhe u dogjën afatet. Agjencia e Bregdetit më dërgon mesazh që t’i nuk plotësove dokumentet dhe ne nuk të kualifikuam. Ky nuk ishte faji im, ishte faji i bashkisë. Më parë këtë plazh e ka shfrytëzuar Taraj.

Tani kam hotelin, ndërsa Taraj ka ndërtesat në krah, disa objekte të vogla. Mua ma jep ligji, nuk kam kërkuar që Taraj të zhvendosej, por që një pjesë ta marr unë se ma jep ligji. Bashkia dhe Agjencia e Bregdetit duhet ta bënin këtë ndarje dhe nuk e kanë bërë kurrë. I kam dërguar disa mesazhe ministres Kumbaro, nuk më ka kthyer përgjigje. Kam takuar dhe kryebashkiakun në zyrë dhe më ka thënë merr 20 çadra dhe lërja atij tjetrit.

Bashkia e Sarandës përveç se nuk më ka nisur asnjë dokument me shkrim që të më thotë për këtë arsye se pse nuk e përfitoj. Gojarisht më tha merr 20 çadra dhe lërja atij. I thashë cila është arsyeja? Më tha lërja atij. Bashkia na ka lënë në baltë. Taksën e paguajmë. 

Nëse drejtësia nuk vepron për ta mbrojtur atë, biznesmeni paralajmëron se do të marrë vetëmasat e nevojshme për t’u mbrojtur: “Nëse drejtësia do të bëjë punën e vet, unë ia lë drejtësisë. Nëse jo, atëherë do të vetëmbrohem, se nuk kam çfarë të bëj tjetër.”/Versus.al

Pamje nga sherri i ditës së djeshme në Sarandë:

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

Poll