
Detaje të reja janë bërë publike nga dosja hetimore për vrasjen e pronarit të pikës së karburantit në Qafë Gjashtë në Sarandë, Rexhep Ismaili më 7 maj 2026.
Emisioni "Në Shënjestër" i gazetares Klodiana Lala, ka publikuar të dhënat hetimore të dosjes ku duket qartë dinamika e ngjarjes së mbrëmjes së 7 majit ku mbeti i vdekur në vend Ismaili dhe u plagos shtetasi Konstandin Vogli.
Rexhep Ismaili, pronar i lokalit, ishte ulur atë mbrëmje me vëllain e tij, dy njerëz të afërm si edhe me subjektin e vërtetë të sherrit që më pas do të degjeneronte në gjak të derdhur dhe plumba të shumtë që u gjendën kudo në lokal.
Sipas kqyrjes së kamerave të sigurisë në lokal të kryer nga grupi hetues rezulton se gjithçka nis në orën 21.28 të mbrëmjes së datës 7 Maj.
Kamera të cilat fillimisht tregojnë pronarin e lokalit Rexhep Ismaili, të ulur në një tavolinë me katër persona të tjerë.
Midis tyre vëllai i tij Shahin Ismaili, dy njerëz të njohur të tij të identifikuar si Armand Kanushi dhe Klodian Kroi si edhe Viktor Ruçi, i njohur si Tori Ruçi.
Është pikërisht kjo koha kur në hyrjen e jashtme të lokalit shfaqen një e nga një grup i cili më pas do të sulmojë tavolinën ku ndodheshin të ulur Rexhep Ismaili dhe të njohurit e tyre, ndër ta dhe Viktor Ruçi.
Të cilët vijnë me motor dhe me makina.
Nga kamerat e sigurisë vihet re se në tavolinën e jashtme të lokalit në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili ndodhen 5 persona. Konkretisht Rexhep Ismaili, Shahin Ismaili, Armand Kanushi. Tori Ruçi, Klodian Kroi.
Pikërisht në këtë moment në orën 21.48 min, nga rruga e vjetër Himarë-Sarandë shfaqet një motor, ku një drejtim të këtij mjeti është Lulzim Tabaku. Menjëherë pas këtij motomjeti vijnë tre makina.
Respektivisht ‘Porsche’ Cayene i drejtuar nga Konstandin Vogli; ‘Audi’ Q8 me ngjyrë të zezë nga ku del Idriz Çelo; ‘Audi’ A7, nga ku del Mario Agalliu si dhe pas tyre një tjetër motor ku ndodhen dy persona. Ku personi mbrapa është Ermal Shkalla.
Nga ajo që dallohet nga kamerat e sigurisë është se i pari që sulet për të goditur është Konstandin Vogli. I cili dallohet teksa mban në dorë një send të rrezikshëm. Një kazmë me të cilën godet Viktor Ruçin.
Ruçi që bën të zbrapset me qëllim për t’i shpëtuar goditjeve.
Në këtë moment në grindje përfshihen shumë persona. Midis tyre edhe Lulzim Tabaku, që duket se në dorë ka një armë zjarri, që po shtyhet me shtetasin Shahin Ismaili.
Është pikërisht ky momenti, kur kamerat tregojnë pronarin e lokalit, Rexhep Ismaili, i cili pasi shkëputet nga grupi që po përplaset, kthehet pas disa sekondash me një armë kallashnikov në dorë.
Të cilën e mbante në një nga anekset e lokalit.
Rexhep Ismaili që me t’u shfaqur me armë në dorë, fillon dhe qëllon ndaj grupit te djemve që kishin sulmuar në lokalin e tij.
Çasti kur si kundërpërgjigje ai merr një plumb në kokë nga Lulzim Tabaku.
Gjë kjo e dëshmuar tanimë dhe nga kamerat e sigurisë të sekuestruara nga grupi hetues.
Gjatë përplasjes me mjete të forta, në një moment Rexhep Ismaili largohet dhe shkon në një dhomë në krah të lokalit nga ku del aty me një armë zjarri në dorë të tipit automatik. Ajo që vihet re gjatë këtij momenti është se Ismaili bën shkrepje me armë në drejtim të rrugës, ndërsa personat që kanë ardhur nga jashtë nisin të largohen. I vetmi që nuk largohet është Lulzim Tabaku, i cili drejton armën drejt Rexhep Ismalit, që pas këtij momenti bie në tokë dhe nuk ngrihet më.
Ky duket se është edhe fundi i të gjithë përplasjes midis dy grupeve të personave të përfshirë në konflikt. Pasi ajo që vihet re më tej është se personat e ardhur nga jashtë lokalit, nisin të largohen me mjetet e tyre,
Por ndërkohë që duket se gjithçka ka përfunduar, këtu kamerat dokumentojnë një tjetër episod.
Atë të momentit kur një nga vëllezërit e tashmë viktimës Rexhep Ismaili, merr armën dhe qëllon ndaj Konstandin Voglit, që mbetet i plagosur.
Pasi përplasja me armë përfundon Lulzim Tabaku hipën në motor dhe largohet në drejtim të rrugës nga erdhi.
Po kështu nga vendi i ngjarjes largohet edhe ‘Audi’ 7. Në këtë moment ajo që vihet re është se vëllai i viktimës Rexhep Ismaili, Hajredin Ismaili merr armën që kishte i vëllai dhe drejtohet në drejtim të personave që kishin mbetur jashtë lokalit. Në këtë moment Konsandin Vogli vihet re teksa çalon dhe largohet andej nga erdhi me makinën e tij ‘Porsche’. Ku në vendngjarje mbetet vetëm ‘Audi’ A8 ndërsa personat e tjerë largohen me vrap. Po kështu nga vendi i ngjarjes largohet edhe motori tjetër.
I pari që u mor në pyetje në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur në lokalin në pronësi të vëllezërve Ismaili, ku mbeti i vrarë Rexhep Ismaili dhe u plagos Konstandin Vogli, ishte vëllai i viktimës, Shahin Ismaili.
I cili tregoi fillimisht për grupin hetues, se si u bashkua në tavolinë me ta Viktor Ruçi, në kafenenë e tyre, atë mbrëmje.
“Atë mbrëmje unë kam qenë në lokalin e karburantit së bashku me vëllain tim Rexhepin dhe po bisedonim për një defekt në kompresor. Më pas unë jam çuar dhe kam shkuar të marr një kushëririn tim të quajtur Klodian Kroi, dhe më tej të dy jemi kthyer te karburanti ynë për të pirë kafe.
Pas pak aty kanë ardhur edhe dy persona të tjerë, konkrerisht Tori Ruçi dhe Armand Kanushi. Më pas bashkë me ne u bashkua edhe vëllai im Rexhepi.”
Shahin Ismaili rrëfeu më tej se nuk kishte kaluar shumë kohë, kur nga vendi ku ndodhej i ulur në kafe me villain e tij Rexhep Ismaili dhe personat e tjerë midis tyre dhe Viktor Ruçin, pa dy makina të ndalonin përpara kafenesë dhe nga aty të zbrisnin disa persona të ‘armatosur’ me shkopa bejsbolli.
Në duart e të cilëve dalloi edhe një armë zjarri.
Nuk kishte kaluar shumë kohë kur ishim ulur, kur përpara lokalit pashë dy makina. Një me ngjyrë të zezë dhe një me ngjyrë gri.
Ku nga makinat zbritën disa persona të cilët mbanin me vete shkopë bejsbolli dhe armë.
Në momentin që këta persona u drejtuan drejt tavolinës ku ne ishim ulur, unë i dola përpara njërit prej tyre që mbante armën në dorë dhe u përlesha me të, duke i thënë që jam Shahini. Ai më tha: ‘s’kemi gjë me ty’. Unë i them: ‘Me kë e keni me vëllain tim?’
Ai mu përgjigj që ‘s’kemi gjë më vëllain tënd’, por nuk më tha se me kë.
Nga të gjithë personat që ndodheshin aty, Shahin Ismaili, identifikoi vetëm një prej tyre. Edhe atë nëpërmjet pseudonimit ‘Lëkura’ që mbante.
Ndërkohë që ata i bënë të ditur se nuk kishin problem me ata si pronarë të lokalit, por me personin që ndodhej në tavolinë me ta, Viktor Ruçin.
“Njëri prej personave të cilin e njoh me pseudonimin ‘Lëkura’ më thotë që ‘s’kemi gjë me ty, por e kemi më dikë tjetër’.
Në këtë moment një nga personat qëlloi tre herë me pistoletë, si dhe kam parë vëllain tim Rexhepin me armë në dorë.
Në këtë çast kam dëgjuar të shtëna dhe kam parë vëllain tim të shtrirë në tokë.
Më pas e kemi ngjitur vëllain në makinë dhe e kemi sjellë në spital”.
Shahin Ismaili tha se personat që erdhën dhe i sulmuan në lokal, nuk i njeh me emër, por me fytyrë po.
Ai diti të thotë përpara grupit hetues se personi me pseudonimin ‘Lëkura’ ishte nga fshati Shën Vasil, dhe se nuk kishin konflikte me njeri si vëllezër.
Por diti të thotë se personi që ishte në konflikt me agresorët ishte Viktor Ruçi.
Kjo pasi ai kishte një lokal në zonën e Krorëz, që i ishte prishur.Versus.al

