
Ish-deputeti Kujtim Gjuzi ka udhëtuar këtë të martë drejt Thethit së bashku me disa burra, në shenjë solidariteti me banorët e zonës që prej ditësh po përballen me ndërhyrjet e IKMT-së dhe shembjen e bujtinave të ndërtuara pa leje.
Në një prononcim për mediat, Gjuzi kritikoi ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për tradhti ndaj banorëve të Dukagjinit.
Sipas tij, aksioni i fundit për prishjen e ndërtimeve ka shkelur një premtim të bërë më herët nga vetë kreu i qeverisë, i cili, siç tha Gjuzi, kishte garantuar legalizimin dhe ruajtjen e këtyre banesave alpine.
“Edi Rama ka bërë një gabim të rëndë dhe duhet të dëmshpërblejë çdo banor, një për një. Ai i ka prerë në besë dukagjinasit që i premtoi se do t’i lejonte të gëzonin shtëpitë e tyre,” u shpreh Gjuzi.
“E para ju falenderoj që keni ardhur. Ne si konservatore jemi përgjigju thirrjes së Zef Gonajt për të qenë në Theth,. Thethi është i thethianëve i komunitetit katolik dhe nëse ne flasim shqip sot dhe nuk flasim serbisht apo greqisht është pikërisht se këto zona që e kanë mbrojtur vendin.
Të shkosh në Dukagjin dhe të shembsh shtëpitë e të tjerëve pasi u ke thënë shtëpitë do ti gëzoni, kjo nuk quhet vetëm prerje në besë, por kjo është një krim bastard.
Unë nuk kam çfarë ftesë ti bëj Ramës, që zotëria duhet të mësojë dhe të lexojë kanunin e Lek Dukagjinit. Mesa duket akoma ai nuk e kupton se ku ka futur jo vetën, por ka futur të gjithë familjen e tij. Kjo nuk është kërcënim, por është për ti thënë që ke bërë një gabim që duhet ta dëmshpërblesh.
Të dëmshpërblejë të gjithë ku ka vënë fadromë. Atij vëllait Çam duhet të kërkojë falje, të gjithë ata njerëzve që i ka sharë me libër shpie”, tha Gjuzi./Versus.al







