AKTUALITET /

Kurorë me lule varrimi, pas shembjeve në Theth, kërcënohet drejtori i IKMT në Shkodër

Shkruar nga Versus
Kurorë me lule varrimi, pas shembjeve në Theth, kërcënohet
Fotomontazh, kreu i IKMT Shkodër, Emiljano Nika

Shkodër- Detaje të reja janë zbardhur nga denoncimi i bërë ditën e djeshme në policinë vendore ku një 44 vjeçar kishte pretenduar se kishte gjetur një kurorë me lule varrimi të varur në derën e shtëpisë.

Rezulton se 44 vjeçari që ka bërë denoncimin, është drejtori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër, Emiljan Nika i cili ka raportuar në polici se kishte gjetur kurorën e varur në derën e banesës së prindërve të tij, duke e konsideruar si një rast kërcënimi.

Policia nisi menjëherë hetimet për ngjarjen. Pistat ku po hetohet janë shembjet e strukturave pa leje në Theth ku Nika kishte një rol kyç në aksionin e fundit ku u prishën rreth 100 struktura të ngritura në zonën e mbrojtur. Ai është përballur me rezistencë të fortë nga banorët gjatë shembjes. Kjo formë kërcënimi, përmes një kuroreje mortore, duket e menduar me kujdes dhe synon të përçojë një mesazh frikësues ndaj tij.

Por nuk përjashtohet mundësia që ky akt të jetë një paralajmërim, pasi aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje pritet të vijojë së shpejti edhe në zonën bregdetare të Velipojës, ku ndërhyrja do të prekë subjekte të tjera me shkelje ligjore. Nika ka denoncuar edhe më herët në polici raste kërcënimi kur është marrë edhe në telefon. Versus.al

Poll