Polici i burgut të Drenovës, Rudenc Myrte, është arrestuar ditën e sotme nën dyshimin se ka futur lëndë narkotike dhe sende të paligjshme brenda ambienteve të institucionit ku ushtronte detyrën. Sipas burimeve zyrtare, Myrte ishte vendosur nën përgjim prej disa muajsh me urdhër të Prokurorisë, dhe hetimet paraprake kanë nxjerrë dyshime të forta për përfshirjen e tij në këtë aktivitet të paligjshëm.
Dyshohet se në raste të përsëritura ai ka ndihmuar futjen e drogës në burg, duke abuzuar me detyrën dhe duke cenuar sigurinë e institucionit të vuajtjes së dënimit. Arrestimi i tij është bërë me një urdhër të Prokurorisë dhe pritet që në orët në vijim të ketë një deklaratë zyrtare për zbardhjen e plotë të rastit.
Ngjarja ndodh vetëm një ditë pas një aksioni të zhvilluar nga Operacionalja e Burgjeve, ku në qelinë e Laert Haxhiut – i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës – u gjet një aparat celular. Hetimet janë në vijim për të zbuluar se si është futur pajisja në qeli, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbërthejnë celularin për të analizuar komunikimet e kryera.
Aktualisht nuk ka ende prova që lidhin drejtpërdrejt Rudenc Myrten me futjen e celularit në qelinë e Haxhiut, por kjo pistë po hetohet në mënyrë të thelluar nga autoritetet. Rasti ka rikthyer në vëmendje problemet e brendshme të sistemit penitenciar dhe nevojën për masa të forta ndaj shkeljeve të tilla. /Versus.al







