AKTUALITET /

Kush ia dha Ramës lajmin 'e mirë' se pallati do rindërtohet? Ndërtuesi Armand Lilo në kërkim nga policia

Shkruar nga Versus
Kush ia dha Ramës lajmin 'e mirë' se pallati do
Fotomontazh: Pallati i djegur te "Arlis", kryeministri Edi Rama, ndërtuesi Armand Lilo

Një pallat 12 katësh në kompleksin “Arlis” te zona e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë u shkrumbua totalisht nga flakët gjatë ditës së djeshme duke lënë qindra banorë në qiell të hapur.

Të dorëzuar, shumë prej tyre panë me trishtim momentin kur flakët përpinin ndërtesën ku kishin investuar gjithë mundin e jetës së tyre. Megjithatë, mëngjesin e sotëm me një shkrim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama bëri me dije se i gjithë pallati do të rindërtohet nga ndërtuesi Armand Lilo i cili do të mbulojë të gjitha kostot e këtij ndërtimi.

Ajo çfarë nuk është e qartë është se si e mori vesh kryeministri një gjë të tillë kur vetë ndërtuesi Armand Lilo, pronari i kompanisë “ARLIS CONSTRUCTION”, nuk ka dhënë asnjë deklaratë të tillë që pas ngjarjes së ndodhur. Ndërsa së fundmi policia e ka shpallur në kërkim.

Kur kanë kaluar kaq orë nga tragjedia, Lilo nuk ka folur asnjë fjalë për banorët e kompleksit “Arlis” me ndërtime që kanë kushtuar dhjetëra milionë euro. Thënë kjo, deklarata e Ramës në kushtet kur vetë ndërtuesi nuk ka qetësuar banorët, ngre shumë pikëpyetje. Mes tyre edhe pyetjen nëse kjo ‘dakordësi’ është pjesë e ‘negociatave’ për të mos patur një hetim për cilësinë e ndërtimit?

Në kushtet kur ka vetëm një deklaratë të kryeministrit, nuk ka asnjë garanci se këta banorë nuk do ta gjejnë ende veten pas 6 muajsh tek kushërinjtë siç tha edhe prefekti Shkëlqim Hajdari ndërkohë që ndërtuesi kaliu lumin dhe ua la kalin.

Duhet që të ketë një kontratë mes Armand Lilos dhe banorëve se apartamentet e djegura të rindërtohen nga vetë kompania ndërtuese dhe të ketë garanci për materialet e përdorura.

Gjithashtu duhet që të ketë një ekspertizë të plotë mbi shkaqet e zjarrit dhe cilësinë e ndërtimit për të parë nëse materialet e dobëta kanë patur ndikim në përhapjen e flakëve masive që shkrumbuan pallatin miliona eurosh. Versus.al

Poll